Qeveria vendos t’i japë me koncesion privatit disa shërbime spitalore

Në mesin e kritikave për sistemin e shëndetësisë, qeveria ka vendosur t'i japë me koncesion privatit një sërë shërbimesh spitalore.Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes Arben Ahametaj, e përligji vendimin me nevojën për të rritur cilësinë e shërbimeve në spitale.Ora News ka mësuar se me koncesion do të jepet shërbimi i dializës në spitalin e Korçës, Fierit dhe Shkodrës, pajisja me instrumenta kirurgjikalë dhe sterilizmi , chek up ndërsa në plan janë edhe pullat e barnat.“Një sërë sektorësh, për herë të parë, siç është bujqësia, shëndetësia apo regjistrimi i pasurive të paluajtshme, siguria ushqimore, shërbimi spitalor që në traditë kanë qenë natyrshëm në kurriz të buxhetit të shtetit, sot fillojnë të shihen ndryshe, duke i afruar nëpërmjet kontraktimeve publike-private në favor të qytetarëve, me shërbime më cilësore. Janë rreth 65 projekte sjella nga ministritë e linjës dhe institucionet, me një vlerë totale, në vite, prej 375.6 miliardë lekë, si burime në mbështetje të drejtpërdrejtë të rritjes ekonomike”.Vendimi për t’i dhënë privatit disa shërbime spitalore vjen në mesin e një skandali që ka përfshirë QSUT-së, pas publikimit të një videoje ku një vajzë ngacmohet seksualisht ne ambientet e qendrës.Ndërkohë, në konferencën për shtyp, ministri Ahmetaj paralajmëroi se në fund të muajit shkurt i hapet rruga tenderit për realizimin e rrugës së Arbrit, një premtim elektoral ky i qeverisë së majtë.“Në fushën e transporteve risi është ndërfaqja e koncesioneve për ndërtim, mirëmbajtje, operimi i akseve kryesore rrugore me qëllim përmirësimin e sigurisë rrugore. Dua të përmend dy projekte që janë tashmë duke u përpunuar si kontraktime publik-privat; një është ndërtimi i segmentit të rrugës së Arbrit, që besoj do të jetë risi e fund dimrit, pra besoj në fund të shkurtit do të jetë në tenderim dhe projekti tjetër është ai i mirëmbajtjes së rrugës Durrës-Morinë. Ka një sërë rrugësh te reja të cilat do të konsiderohen dhe do të hidhen në treg për një kontraktim publik-privat”.Sipas Ahmetajt, kjo marrëdhenie e re e partneritetit mes publikut e privatit, do të rrisë të ardhurat në buxhetin e shtetit.