Pritet mot i acartë, temperaturat do të ulen prej mbrëmjes së sotme
Vendi ynë do të përfshihet nga mbrëmja e kësaj të martë e përgjatë ditëve në vijim, nga një mot i acartë, me temperatura disa gradë nën celsius.Kështu nga kjo e martë, temperaturat do të qëndrojnë të ulëta, ku ajo minimalja do të arrijë në Shqipërinë e Mesme në -3 deri në -7 gradë celsius, ndërsa në zonat malore situata pritet të përkeqësohet edhe më shumë pasi temperaturat pritet të arrijnë deri në -13 apo -14 gradë celsius.E ndërsa veriu dhe zonat bregdetare janë përgatitur për këtë situatë moti të acartë, tashmë të përsëritur vit pas viti, Shtabi i Emergjencave është ngritur në Lushnje, për ti paraprirë çdo situatë që mund të krijohet nga reshjet, mes tyre mungesa e energjisë elektrike apo përmbytja e tokave bujqësore.Vetë prefekti, Ilir Dervishi, ka kërkuar gjendje gadishmërie nga drejtuesit e Drejtorive të veçanta, për ti bërë ballë situatës ekstreme të motit.Edhe krerët e mirëmbajtjes së rrugëve rurale, i OSHEE-së dhe Bordit të Kullimit kanë rapotuar mbi situatën aktuale dhe masat e marra në rast të përkeqësimit të motit.Ky mot i ftohtë, me temperatura ekstreme kryesisht për Shqipërinë e Mesme, shoqëruar me shi të rrëmbyer dhe erëra të forta, pritet të zgjasë deri në fundjavë, ku vetëm të shtunën temperaturat pritet të rriten disi, ndërsa java e ardhshme do të rikthejë sërish akullin dhe acarin.