Atentat Emiliano Shullazit, breshëri automatiku teksa ecte me makinë
Tiranë- Emiljano Shullazi dhe miku i tij Gilmando Dani ishin objektivë të atentatit të ndodhur mbrëmjen e 5 janarit 2015 pranë mbikalimit të Kasharit.
Ata kanë qenë duke udhëtuar në fshatin Bërxullë Tiranë, në afërsi të mbikalimit Kashar, kur mendohet se nga një makinë tjetër është qëlluar në drejtim të tyre.
Mësohet se të paktën 12 plumba janë shkrehur në drejtim të automjetit i cili ka dalë nga rruga. “Më datë 05.01.2014 nga Seksioni Kundër Akteve Terroriste në Policinë e Tiranës, filloi proçedimi penal dhe punohet për kapjen e autorëve, pasi mbrëmë rreth orës 19.30, në fshatin Bërxullë Tiranë, në afërsi të mbikalimit Kashar, është tentuar të vritet me armë zjarri shtetasit Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani, të cilët përgjatë momenteve të ngjarjes po udhëtonin me automjetin e tyre, tip Golf 4, me targë AA629HR.
Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, mbeti i plagosur Emiljano Hajdar Shullazi, 36 vjeç dhe Gilmando Nesim Dani, 36 vjeç, të cilët janë ndodhen nën kujdesin e mjekëve” thuhet në njoftimin e policisë të publikuar paraditen e 6 janarit.
Ndërkohë mbrëmjen e djeshme atentati ndaj Shullazit u mësua pak minuta pas atentatit të ndodhur pranë Rrugës së Kavajës ku mbeti i vrarë Arjanit Sterjo, ndërsa u plagos Pajtim Serjani dhe polici Roland Meta.
Dje burimet thanë se Shullazi u qëllua me breshëri automatiku nga persona ende të paidentifikuar, të cilët po e ndiqnin që nga Rinasi, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur 30 gëzhoja dhe janë sekuestruar dy mjete me të cilat dyshohet se është kryer atentati. Burime nga Policia e Tiranës, bëjnë me dije se i plagosuri Emiljano Shullazi ndodhet i shtruar në Spitalin e Traumës nën ruajtjen e policisë dhe se është jashtë rreziku për jetën.
Emiljano Shullazi është një emër i njohur për drejtesinë dhe policinë. Ai është ndaluar disa herë nga policia për kërcenime dhe armëmbajtje pa leje. Sot paradite u mësua se dy atentatet kishin lidhje me njëra tjetrën
Lajmi i publikuar mbremjen e 5 janarit u perditesua paraditen e 6 janarit