Fier, punimet artizanale pasuria e çmuar e vendit tonë
Fier-Punimet artizanale cilësohen një pasuri e çmuar që tregojnë vlerat, kulturën dhe identitetin e vendit tonë. Ndonëse për disa vjet u duk sikur kjo traditë u sfumua, sot brezat e rinj po mundohen të ruajnë traditën, përmes punimeve të baltës, punimeve me grep apo edhe qendisjes ku ndërthuren motivet e së shkuarës me të tashmen.Por punimet e dorës kërkojnë jo vetëm kohë per t'u punuar, por edhe pasion. Taulanti, Lorina dhe Erigerti janë tre te rinj nga Fieri, shembulli më i mirë i ruajtjes së kulturës artizanale. Ata janë pjesë e atelies së punimeve artizanale pranë Kishës Katolike në Fier, të cilët këtë periudhë u janë përkushtuar detajeve festive të Krishtlindindjes. Taulanti merret me skulpturën prej 8 vitesh, ndërsa Erigert me ngjyrosjen e punimeve te baltës.Por shumë të vlerësuara janë edhe punimet me dorë nga gratë dhe vajzat e Fierit. 19 vjeçarja Lorina Dhespoti shpjegon sesi kjo atelie ka gjetur një mënyrë të bukur për të ndihmuar ekonomikisht gratë dhe vajzat që nëpërmjet shitjes së punimeve të dorës nxjerrin të ardhura shtesë.Edhe në Fier si edhe në Zadrimë apo Tropojë, gjen ende gra që ruajnë traditën me punimet popullore. Një prej tyre është dhe 42 vjeçarja Anila Mërtira, e cila po përpiqet që këtë zanat ta trashëgojë te dy bijat e saj 13 dhe 12 vjeçare. Anila kujton punimet e para prej dhe nga u motivua për të vijuar më tej me qëndisjen e kostumeve popullore.Pak nga pak filluan edhe porositë e ndryshme për të blerë kostumet popullore. Shqiptarët e ndodhur jashtë vendit në Amerikë dhe Itali, por edhe Ansamblet Popullore u bënë klientët e saj të parë.Me kalimin e viteve dhe ndërthurjen e kulturave, po bëhet përherë e më e vështirë të gjesh brezat e rinj të ruajnë traditat. Jo në pak raste përballesh me ironinë e të rinjve për punimet e dorës. Por të rralla janë dhe ato duar arta që rrisin brezat me dashurinë e punëve të dorës, punime te cilat duan kohë për t'u përfunduar dhe shumë durim e dashuri.