Dimri me ngrica, Totozani-Bashkive: Merrni masa për të pastrehët
Vështirësitë në qarkullim nuk janë i vetmi problem si pasojë e motit të keq. Temperaturat e ulëta që kanë përfshirë vendin janë rrezik potencial kryesisht për ata persona që nuk kanë një strehë për të futur kokën.Institucioni i Avokatit të Popullit u ka dërguar rekomandim bashkive të vendit lidhur me marrjen e masave për vend-strehimet alternative për personat pa strehë.Rekomandimi u është dërguar Bashkive rreth nje muaji më parë duke iu referuar dhe prag stinës së ftohtë të dimrit.Avokati i Popullit duke marrë në konsideratë një sërë faktorësh, sikundër janë ato ekonomikë, socialë, por edhe kushtet e vështira klimaterike vecanërisht temperaturat e ulëta në zonat malore, gjykon si tepër emergjente marrjen e masave në ndihmë të kategorive të popullsisë, të cilët realisht janë në pamundësi totale të sigurimit të një vendstrehimi, me qëllim parandalimin e situatave që mund të rrezikojnë jetën apo shëndetin e tyre veçanërisht të fëmijëve e të të moshuarve, duke mos lënë pa përmendur raste të mëparshme të cilat fatkeqësisht kanë çuar në humbje të jetëve njerëzore.Më konkretisht në rekomandim kërkohet marrja e masave organizative për përgatitjen e vend-strehimeve apo vend-qëndrimeve provizore për grupe në nevojë emergjente që kërkojnë ndihmë nga organet e pushtetit vendor me qëllim parandalimin e situatave që mund të rrezikojnë jetën apo shëndetin e tyre.