Nis shkëmbimi i të burgosurve mes Ukrainës dhe rebelëve
Ukraina dhe rebelët separatist pro rusë në lindje të vendit kanë nisur sot të shkëmbejnë të burgosurit respektivë, sipas marrëveshjes së arritur në Minsk një ditë më parë. Lajmin e ka konfirmuar Shërbimi i Sigurisë në Ukrainë.Sipas marrëveshjes, 150 ushtarë të forcave qeveritare do të këmbëhen me 225 rebelë. Ndërsa agjencitë ruse të lajmeve kanë raportuar se këmbimi po bëhet në një lokacion neutral, 30 kilometra në veri të qytetit Donjeck, që është nën kontrollin e separatisëtve.Burime të sigurisë në Kiev thanë se edhe pas këmbimit, separatistët do të mbajnë edhe 500 ushtarë qeveritarë të tjerë.Më herët gjatë ditës, zyrtarë të Bjellorusisë thanë se raundi kryesor i bisedimeve për paqe ndërmjet Ukrainës dhe separatistëve prorusë në pjesën lindore të Ukrainës, i parashikuara për sot, është anuluar.Ndërkohë që armëpushimi i arritur që në shtator vazhdon të thyhet, në një qytezë pranë Donjeckut, grupe monitorimi nga Ukraina, Rusia, vetë separatistët dhe OSBE-ja raportojnë çdo lloj aktiviteti.Ushtria ukrainase nuk kundërpërgjigjet edhe kur rebelët sulmojnë dhe i fajëson ata për prishjen e armëpushimit. Vetë qyteza Debaltesve është rrënuar nga bombardimet, sidomos për sa i përket infrastrukturës. Edhe pse ka rifilluar furnizimi me ujë dhe energji elektrike, vetëm 60% e banorëve kanë mbetur aty.