Mesazhi i Fleckenstein: Bojkotet parlamentare mjaftojnë për këtë shekull

Eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein, i cili asistoi në zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri ka folur për këtë eksperiencë duke nxjerrë në dritë vështirësitë e politikës shqiptare për gjetjen e konsensusit.Në mënyrë ironike ai deklaron se bojkotet parlamentare duhet të mjaftojnë për këtë shekull.“Po bëj një formulim me pak ironi: Secila palë e ka tani përvojën e saj me bojkotimin e gjatë të parlamentit. Dhe besoj se kjo për këtë shekull mjafton.Duke folur në një intervistë për DW, Fleckenstein theksoi se nuk është i sigurt se nëse rreziku ka kaluar, por ai vlerëson PD për vendimin për ti kthyer normalitetin jetës parlamentare.“Nuk jam i sigurtë nëse rreziku ka kaluar, por së pari jam i i gëzuar që Partia Demokratike ka vendosur të rifutet në parlament, dhe sigurisht së pari e ka ajo në dorë, por edhe qeveria që të krijohet një atmosferë që e bën të mundur punën parlamentare.”Fleckenstein thotë se sanksionimi në rezolutë që mazhoranca nuk duhet të përdorë në mënyrë të një anshme shumicën e cilësuar që gëzon në parlament nuk është tentative për të ndryshuar shumicat parlamentare, por bëhet fjalë për konsensus të gjerë për reformat madhore.“Mendoj se reflekton frikën se nuk mund të bëhet punë e vërtetë opozitare në Shqipëri me një mazhorancë të tillë. Por duhet të them se as Herr Kukan dhe as unë nuk shkuam në Tiranë për të ndryshuar mazhorancat në parlament, sepse këtë e vendosën votuesit dhe do ta vendosin rishtazi herën tjetër. Këtu bëhej fjalë për një konsensus të gjerë për reforma të rëndësishme që duhen ndërmarrë për t'u integruar në Bashkimin Europian. Ky projekt nuk është projekt i një partie, pavarësisht kush qeveris.”Pyetjes së DW nësë ua a kanë bërë ndonjëherë të qartë gjatë bisedimeve palëve politike në Shqipëri se sa të paaftë duken në sytë e publikut shqiptar, por edhe në BE, kur nuk e gjejnë dot vetë kompromisin, Fleckenstein përgjigjet?“Nuk di të them se si duken ata në publikun shqiptar, por për BE mund të them se sigurisht që ne do të dëshironim më shumë që partitë të binin në ujdi vetë pa ndërmjetësues, por nëse kjo është e nevojshme, ne jemi të gatshëm. E dini cila është më e rëndësishmja këtu: partitë duhet të flasin më shumë me njëra-tjetrën dhe jo mbi njëra-tjetrën.”