Vlorë, kërcënon për 3 orë vetëhedhjen, shkak prishja e ndërtesës nga Bashkia
Për rreth tre orë me radhë një banor Skelë të Vlorës ka mbajtur në tension forcat e rendit si dhe banorët e asaj zone, nën kërcëninimin për vetëflijim. Skënder Musai, 45 vjec ka përzgjedhur katin e 11-të të një pallati, ku nga taraca është lyer me benzinë dhe ka kërcënuar se do të vetëhidhet. Shkak i gjithë kësaj historie është bërë një vendim i Bashkisë së Vlorës për prishjen e një ndërtimi pa leje, pikërisht në pronësi të Musait. Me këtë vendim të Bashkisë, ka qenë Inspektoriati i Ndërtimit që më pas që gjatë ditës së sotme ia ka rrënuar banesën, ku 45-vjecari mësohet se kishte shtëpinë dhe një biznes përmes të cilit siguronte të ardhurat për familjen e tij.
I bindur se përmes këtij veprimi i është bërë një padrejtësi e madhe, Musai kërkoi të negociojë me Prokurorinë për të zgjidhur çështjen e banesës, duke pretenduar nje takim me vete Kryeprokurorin Adriatik Llalla. Pas më shumë se 2 orë negociata me policinë përmes bisedës në telefon, më në fund Musai është bindur për të mos u hedhur, duke zbritur kështu nga taraca ku ishte ngjitur. Mësohet se Prokurori i Vlorës, D.Tafili i ka premtuar Musait se do shikohet dokumentacioni që zotëron për ndërtesën e tij.