KQZ shqyrton auditet, PS: Regjistri kombëtar, i pabesueshëm

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po shqyrton raportet e auditëve teknicienë për verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile dhe procesin e hartimit të listave, deri më datën 3 shkurt 2013.Dy auditët teknicienë të caktuar nga KQZ, përkatësisht nga kryetarja dhe nënkryetari, kanë paraqitur raporte të veçanta, ku jepen shifra dhe konstatime të ndryshme.Sipas auditit të PS-së, regjistri kombëtar është totalisht i pabesueshëm. Sipas këtij auditi, rreth 26 mijë emra dyshohet se janë të dubluar.Raportet paraqesin se në ekstraktin e listave zgjedhore figurojnë mbi 1000 zgjedhës mbi 100 vjeç. Auditi i propozuar nga nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba raporton për 1189 zgjedhës në moshën mbi 100 vjeç, ndërsa auditi i propozuar nga kryetarja Lefterije Lleshi jep shifrën e 1057 zgjedhësve të kësaj moshe.Një tjetër e dhënë që paraqitet në raportet e auditëve teknicienë është dhe ajo për numrin e qendrave të votimit, të krijuara me një numër zgjedhësish mbi maksimumin e lejuar nga kodi zgjedhor. Kështu njëri raport flet për 688 QV të tilla, ndërsa raporti tjetër konstaton 2676 QV, me më shumë se 1000 zgjedhës, si parashikohet në ligjin zgjedhor.