Bashkia i kalon kopetenca njësive, Tabaku: Do të mbledhin shumë të ardhura
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Jorida Tabaku ka inspektuar sot punimet në rrugën “Zonja Çurre”, në njësinë bashkiake nr. 2. Rruga me një gjatësi 230 metra linearë do të ketë trotuare, kanalizime etj. Vlera e investimit është 5.9 milionë lekë dhe një financim i Njësisë Bashkiake nr.2.“Jemi sot këtu për të inspektuar punimet që njësia bashkiake nr.2 ka filluar në rrugën “Zonja Çurre”. Gjej rastin që të falënderoj z. Gjoza, i cili me forcat dhe me të ardhurat e njësisë bashkiake nr.2 ndërmerr një investim i cili i shtohet investimeve që Bashkia e Tiranës po bën. Ky investim, krahas investimeve që ne po bëjmë aktualisht për bulevardin “Petro Nini Luarasi”, për rrugën “Mihal Grameno”, për rrugën “Gramoz Pashko” kompleton investimet në këtë zonë, të cilat në rrugën “Zonja Çurre” prekin rreth 3000 banorë.Ky investim vjen pikërisht në një moment kur Bashkia e Tiranës është duke u kaluar disa kompetenca të reja minibashkive. Ashtu siç e deklaroi edhe Kryetari i Bashkisë, në mbledhjen e datës 28 shkurt, ne do të prezantojmë një paketë të re sa i përket decentralizimit dhe me vjen mirë që ka disa njësi bashkiake të cilat i marrin me seriozitet kompetencat e tyre dhe realizojnë mbledhjen e të ardhurave që shërbejnë dhe investohen për komunitetin” – u shpreh Tabaku.Nënkryetarja Tabaku bëri të ditur se Bashkia e Tiranës do të investojë për të plotësuar rrugën me gjelbërim, ndriçim e me të gjithë standardet që kërkon ndërhyrja në këtë rrugë, sikundër në çdo rrugë tjetër të Tiranës.Elez Gjoza, kryetari i Njësisë Bashkiake nr. 2 theksoi: “Sot ndërhyjmë me fillimin e punimeve tek “Zonja Çurre”. Ndërhyhet për herë të parë dhe është një aks prej 230 metrash, një aks shumë problematik për 3000 banorët dhe që bëhet me investimin e minibashkisë. Unë premtoj se do të kemi investime të tjera, në mënyrë të vazhdueshme në akset e kësaj minibashkie. Kjo minibashki tashmë është kthyer në një kantier ndërtimi. Kemi parasysh bulevardin “Petro Nini Luarasi”, rrugën “Gramoz Pashko” dhe shumë rrugë të tjera të kësaj njësie me infrastrukturë tejet të dëmtuar.U premtoj banorëve që brenda një kohe shumë të shkurtër këtu do ecet shumë mirë, njerëzit nuk do të bëhen më me baltë si dhe garantoj edhe shumë banorë të tjerë të kësaj njësie që do të kenë ndërhyrje të vazhdueshme dhe me mbështetjen e Kryebashkiakut z. Basha, timen personale si edhe deputetes së zonës e cila është jashtëzakonisht e lidhur me këtë njësi bashkiake, ne do e bëjmë njësinë nr.2, si gjithë njësitë e tjera të Tiranës”tha ai.Ndërkohë, nga ana e saj, deputetja e zonës Lajla Përnaska u shpreh se “me një besim shumë të fortë në veten tonë dhe në programin tonë elektoral për Bashkinë e “Tironës” dhe për minibashkinë nr.2, për një nga lagjet më të bukura dhe më të vjetra të kryeqytetit premtuam me gojën plot që do të futemi në çdo rrugicë, në çdo cep të saj për t’i dhënë zhvillim dhe për t’i dhënë kësaj zone dinjitetin që i takon prej brezash”.