Rama në Burrel: Projekti ynë për shëndetësinë, një motiv më shumë në 23 qershor

Stacioni i radhës së turit të kryetarit të Partisë Socialiste në kuadër të javës së shëndetësisë gjatë prezantimit të programit “Për një Rilindje Shqiptare” ka qenë qyteti i Burrelit. Kryesocialisti Rama ka vizituar spitalin e këtij qyteti ku është pritur nga mjekë e pacientë të ndryshëm. Ata e kanë njohur nga afër me gjendjen e shërbimit shëndetësor në këtë qytet, por edhe me gjerë akoma në qendrat spitalore të kryeqytetit, ku halli i sëmundjeve i ka dërguar për një trajtim më të specializuar. Kreu i PS ka vizituar pavijonet e spitalit pediatrik, si dhe ka biseduar me mjekët lidhur me kushtet e punës dhe gjendjen e materialeve të nevojshme për të ofruar shërbimin shëndetësor.“Spitali ka ardhur duke u rrudhur përditë. Gjysma e specialistëve mungojnë. Pajisje absolutisht, prej 8 vjetësh nuk ka hyrë pothuajse asnjë pajisje. Ka hyrë vetëm një aparat grafie, edhe ai në gjendje të keqe, që një javë punonte e një muaj s’punonte dhe asgjë tjetër. Laboratorët janë të para 20 vjetëve, ndërkohë që teknologjia ecën me muaj e jo më me vite. Duhet ndryshuar sistemi. Ky sistem që është nuk vlen. Nuk vlen se edhe pacienti ndihet i pasigurt edhe ne si personel ndjehemi të pasigurt në punën tonë”, i ka thënë kreut të PS dhe njëri prej mjekëve me një stazh të gjatë pune në këtë institucion shëndetësor.Edhe një çift të moshuarish kanë përfituar nga rasti për parashtruar hallin e tyre, për të cilin kanë tetë vjet që sorollaten zyrave të shtetit, por pa mundur të marrin mbështetjen e kërkuar. Burri 70-vjeçar është i aksidentuar dhe përveçse ka humbur të dy krahët, kohët e fundit ka humbur edhe dëgjimin.“Ka tetë vjet që është aksidentuar. Kërkuam nga Komisioni, nga sigurimet shoqërore që të merrte mbështetje për ilaçet, por na thanë se ka pensionin e kooperativës dhe ndaj nuk i takon. I kam çuar letër edhe fotografi të burrit të gjymtuar, kryeministrit, Jozefinës, ministrit të Shëndetësisë dhe s’kam lënë vend pa çuar letër dhe fotografitë dhe të gjithë më kthejnë përgjigje që nuk i takon se e ke një ndihmë sociale dhe s’të takon”, shprehet gruaja e moshuar, e cila nuk e fsheh aspak se tashmë e ka humbur shpresën se mund të gjejë mbështetje në institucionet e shtetit.Kreu i PS-së, Edi Rama, duke folur për këtë situatë që sipas tij është pasqyra më e qartë e falimentimit të sistemit, e ka vënë theksin të synimi kryesor i programit “Për një Rilindje Shqiptare”, që nëpërmjet një ndryshimi rrënjësor të kalohet në një sistem të bazuar te bindja se shëndeti nuk është mall që blihet, por është e mirë publike që duhet të garantohet.“Jemi përpara një fakti kokëfortë të falimentimit të sistemit. Ky është sistem që ka falimentuar me kohë. Faktikisht, vetëm 7% e buxhetit të përgjithshëm që shpenzojnë shqiptarët për shëndetësinë vjen nga sigurimet, gjithë pjesa tjetër vjen ose nga xhepat e atyre që detyrohen të trokasin në derën e spitalit për hall, ose nga taksat e përgjithshme. Ne duam ta ndryshojmë rrënjësisht. Të kalojmë në një sistem shëndetësor të bazuar te bindja se shëndeti nuk është mall që blihet, por është e mirë publike që duhet të garantohet. Mbi këtë bazë ne do të shkojmë përpara. Arsyeja për të votuar programin tonë në 23 qershor është shumë e fortë, në mënyrë të posaçme për të gjitha ata që dëshirojnë një kujdes shëndetësor të një niveli tjetër. Një sistem shëndetësor që të mos i përjashtojë të papunët, duke u thënë, s’jeni të siguruar se s’keni punë dhe kur s’keni punë mos u sëmurni se pastaj s’keni lekë dhe kur s’keni lekë nuk mund të kujdesemi për ju. Dhe nga ana tjetër ashtu siç tha doktori të kemi mundësinë të menaxhojmë këtë buxhet që kemi në mënyrë më efikase dhe t’u japim njerëzve një shërbim i cili të jetë shprehje e respektit për njeriun, jo shprehje e përbuzjes për njeriun siç është sot”, është shprehur kreu i Partisë Socialiste Edi Rama.