Kuvend, debate për gazifikimin dhe ligjin e statistikave
Kuvendi ka shqyrtuar sot ndryshimet në ligjin "Për sektorin e gazit natyror" ndërsa seanca plenare është shoqëruar me debate.Deputeti i PS-së Erjon Braçe ka akuzuar qeverinë se i ka dhënë të drejtat ekskluzive e gazifikimit për ta privatizuar, kompanisë Albpetrol.“Albpetroli në asnjë plan biznesi të këtyre viteve të fundit nuk ka gazifikimin e Shqipërisë. I kam unë të gjitha planet e biznesit të Albpetrolit për 5 vitet e fundit, sic kam edhe buxhetet e Albpetrolit në 5 vitet e fundit dhe në asnjërin prej tyre nuk parashikohej që Albpetroli të ndërmerrte një investim për të gazifikuar Shqipërinë, apo për të ofruar shërbimin e transmetimit të gazit për ndonjë operator tjetër që nuk ekziston në Shqipëri. Ju dha thjesht dhe vetëm për procesin e privatizimit, e frynë me të drejta sovrane të shtetit shqiptar, sic ishin të drejtat e ndarjes së prodhimit të marrëveshjeve të hidrokarbureve, që i takojnë shtetit shqiptar dhe ju dhanë në një ligj këtu në parlamentin e Shqipërisë, privatizuesit. E frynë duke grumbulluar pafund në Albpetrol sasi nafte, e frynë edhe duke i dhënë licensa ekskluzive, sic është kjo licensa e gazit. Tani çpo bëjnë, tani që dështuan po kthehen mbrapsht. U kujtuan që kjo licensa ekskluzive që i kishin dhënë Albetrolit, për transmetimin e gazit cënon një projekt edhe më të rëndësishëm siç është projekti TAP”, tha Braçe.Ndërsa ministri i Financave Ridvan Bode i ka cilësuar si të pavërteta akuzat e deputetit Braçe duke theksuar se Albpetrolit i është hequr e drejta për gazifikim."Albpetrolit i janë hequr rezervat nëntokësore të depozitimit të gazit të lëngshëm dhe ka qënë pjesë e ofertës së qeverisë shqiptare. Nuk është e vërtetë që Albpetrolit i është dhënë ekskluziviteti i gazit por përkundrazi i është hequr ekzluziviteti nga kontrata. Ne po prisnim kalimin e një linjë gazi të lëngshëm, e cila do të përdoret për furnizim jo vetëm të Shqipërisë po për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Bode.Gjithashtu seanca u shoqërua me debate sa I perket ligjit ”Për statistikat zyrtare”. Deputeti I PS-së Taulant Balla akuzoi qeverinë se fshehu shifrat e papunësisë dhe numrin e popullsisë në qarqe"Kryeministri i vendit prej vitesh i ka zënë grykën INSTAT-it, prej të cilit dalin dokumenta qesharak. Po ju marr një shembull:Materiali statistikor më i rëndësishëm për një vend është censusi, i cili kryhet një herë në dhjetë vjet dhe ka një spektër shumë të gjerë dhe të thellë studimor. Nuk po ndalem tek shifra shumë të debatueshme për numrin e popullsisë rezidente, përkatësinë fetare etj. Por sot dua të akuzoj publikisht INSTAT për fshehjen e dy të dhënave shumë të rëndësishme, përllogaritja e të cilave ka përfunduar, por me urdhër të Sali Berishës mbahen fshehur. E para është: niveli i papunësisë. INSTAT disa javë më parë nuk e publikoi këtë të dhënë. Por brenda këtij institucioni konfirmojnë shifrën e 1 milionë të papunëve në Shqipëri. INSTAT disponon të përpunuar edhe popullsinë rezidente sipas qarqeve. Por edhe kjo e dhënë u bllokua me urdhër nga Sali Berisha, sepse nxirrte zbuluar pisllëqet e Flamurit të partisë, me rritjen fiktive të popullsisë në fshatra të braktisura, me qëllim keq-shpërndarjen e mandateve parlamentare” tha Balla.Ai ka theksuar më tej se aktualisht informacioni statistikor zyrtar është i mangët, i vonuar dhe i manipuluar. “Operatorët ekonomikë dhe publiku i gjerë kanë humbur plotësisht besimin tek Instituti i Statistikave, i cili është kthyer në një instrument në dispozicion të propagandimit të gënjeshtrave të pushtetit. Ne e konsiderojmë informacionin statistikor një të mirë publike në shërbim të qytetarëve dhe faktorëve ekonomikë. Do të kthejmë seriozitetin dhe pavarësinë e Institutit të Statistikave, duke e vënë drejtimin e tij nën kontrollin e Kuvendit të Shqipërisë dhe kjo masë do të jetë pjesë e planit tonë të 100 ditëve të para” shtoi Balla.Sërish në rendin e ditës kanë qënë tre ligjet, miratimi i të cilave lidhet me statusin e vendit kandidat, përkatësisht: reforma parlamentare, pr/ligji "Për Gjykatën e Lartë" dhe ai "Për nëpunësin civil".