Topi: Kryeministri i ka kthyer institucionet në struktura zgjedhore

Përmes një takimi me mbështetës e simpatizantë drejtuesit e FRD-së ftuan qytetarët e Ersekës të njohin idetë dhe synimet e kësaj force politike e cila mbart një program politik të moderuar në respekt të qytetarëve dhe jo për të ngrohur karriget. Kryetari i FRD-së Bamir Topi duke shtjelluar këtë ide tha se politikani që merr mbështetjen e qytetarëve duhet ta rikthejë këtë besim në shpresë për ata që e votuan.Qytetarët ,tha ai, duhen respektuar e punësuar duke shtuar se FRD nuk është një parti më tepër, por një vlerë që buron nga politikanë me integritet. Sipas Kryetarit të FRD-së nuk mund të jesh Kryeministër vetëm i një pjese të shqipëtarëve por i të gjithë popullit.“Sllogani i FRD-së për shtetin dhe qytetarët nënkupton se politika duhet t’u sigurojë atyre mundësi punësimi dhe arsimimi.FRD premton programe për bujqësinë, blegtorinë dhe turizmin e zonës së Kolonjës për ta kthyer atë në një vend pelegrinazhi për të turistët. Gjithashtu FRD do të hapë qendra grumbullimi dhe përpunimi për prodhimet bujqësore dhe blegtorale në mënyrë që kolonjarët të jetojnë me standarte”tha ai.Duke u ndalur në qeverisjen e sotme, Topi u shpreh se pushteti i Kryeministrit është drejt konsumimit të plotë, ai i ka kthyer institucionet dhe administratën publike në struktura zgjedhore.Ndërsa nënkryetari i FRD-së Aleksandër Biberaj deklaroi në këtë takim se anija e qeverisë së skrapit po mbytet dhe se nuk ka makiazh që ta shpëtojë nga humbja e thellë. Sipas tij, misioni i pardesyve të bardha mbaron më 23 qershor, datë e cila do të shënojë përfundimisht shkëputjen e Shqipërisë nga kthetrat e ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit.