Vrasja e kryekomisarit të Shijakut, shtyhet gjyqi ndaj Ilir Xhakjas

Gjykata e Krimeve të Rënda shtyn sërish gjyqin ndaj Ilir Xhakjas, i akuzuar si autor i vrasjes së Shefit të Policisë së Shijakut, Adem Tahiraj, vitin e kaluar në afërsi të Durrësit.Shkak për shtyrjen e seancës është bërë mungesa e prokurorit të çështjes Eugen Beci ndërsa seanca e radhës do të zhvillohet më 19 Shkurt.Në seancën e kaluar, avokati mbrojtës i Xhakjas kërkoi gjykim të shkurtuar, gjë që u kundërshtua nga prokurori me argumentimin se çështja ka nevojë për hetim gjyqësor më të detajuar ndaj kërkesa për hetim të shkurtuar duhet rrëzuar.Procesi ndaj Ilir Xhakes po zvarritet prej disa seancash. Megjithëse kanë kaluar më shumë se një muaj nga dorëzimi i çështjes për gjykim, procesi ende nuk është hapur. Shkak për zvarritjen janë bërë mungesa e palës mbrojtëse, prokurorit apo e të të pandehurit në sallën e gjyqit.Ish-kreu i komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj, u ekzekutua më 13 Shtator, në fshatin Katund Sukth nga Ilir Xhakja.Autori u arrestua pas disa orë kërkimesh ndërsa ngjarja e Shijakut nxori në dritë faktin se Ilir Xhakja ishte lënë i lirë nga Gjykata e Durrësit, pavarësisht se ai ishte akuzuar për vrasjen e Qerim Malokut, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1998 në Katund Sukth.Nga verifikimet rezultoi se Xhakja ishte gjykuar dhe kishte fituar lirinë për shkak të vonesave në zbardhjen e vendimit nga ana e gjyqtarit Neritan Tabaku.Gjyqtari u bë objekt hetimi nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e cila vendosi shkarkimin e tij nga detyra. Tabaku u hetua nga Prokuroria e Tiranës për “shpërdorim detyre” dhe çështja ka kaluar për shqyrtim në gjykatë.