“Nuk u provua akuza”, Gjykata: Ja pse Prendi dhe Llupo janë të pafajshëm
Gjykata Tiranës tashmë sqaron të gjitha hamendësitë dhe akuzat e hedhura në drejtim të saj për pafajësinë për gardistët për 21 janarin. Treshja e gjyqtarëve pas 6 ditësh nga shpallja e vendimit ka sqaruar me argumenete, por edhe me ligje konkrete se pse nuk ka dënuar asnjë njeri për demonstratën e 21 janarit, duke lënë të nënkuptohet se nëse është arritur në këtë vendim "faji" bie mbi hetimet e zhvilluara nga Prokuroria, të cilat janë të pa plotë. Në 36 faqe tre togat e zeza kanë arritur në përfundim se nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar se gardistët Ndrea Prendi dhe Agim Llupo të dënohen për veprën penale të “vrasjes me dashje”. Gjykata argumenton për Ndrea Prendin:“Në rastin në gjykim gjatë gjykimit u provua se fakti i paraqitur nuk përbën veprën penale për të cilën akuzohet i pandehuri Ndrea Prendi, por nuk rezulton të jenë bërë hetime të plota për të përcaktuar,zbardhur dhe vërtetuar faktin,si rrjedhim gjykata nuk mund të shtojë akuzë dhe as të marrë atributet e prokurorisë(neni 24|1 i K.Pr.Penale) për të bërë hetime të tjera dhe për të ngritur akuza të reja në process.Institucioni i akuzës mund dhe duhet të bëjë këtë detyrë në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe ligjore që ka”.Ndërsa për akuzën në ngarkim të Agim LLupos argumenton se:“Organi i akuzës nuk paraqiti asnjë provë për të vërtetuar se i pandehuri Agim Llupo synonte dhe dëshironte ardhjen e pasojës tragjike atë të vdekjes së Ziver Veizi dhe Hekuran Deda dhe të personave të tjerë të plagosur.Madje organi i akuzës nuk arriti të provonte asnjë lloj lidhje apo njohje mes të pandehurit apo viktimave dhe nuk u provua asnjjë aspekt të dashjes në ardhjen e pasojës. Sipas kërkesave ligjore për tu provuar akuza e ngritur atë të vrasjes me dashje të Ziver Veizi duhet të provohet se ai ka pasur objektiv për ta vrarë dhe ka qëlluar në drejtim të tij për të realizuar këtë qëllim.Kjo hipotezë e akuzës është krejtësisht e pabazuar dhe pambështetur në prova”.Pas zbardhjes së këtij vendimi, nga Prokuroria pritet apelimi i tij.Burimi nga Prokuroria konfirmuan se nesër organi i akuzës pritet të marrë hapa të metejshëm për apelim.