Obama: Soni gaboi me ndalimin e filmit, do i përgjigjemi me sulm Koresë
Presidenti, Barack Obama, është zotuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ti përgjigjen sulmit elektronik të Koresë së Veriut ndaj studios filmike Soni Pictures.Në fjalimin tradicional të fundvitit, Presidenti amerikan deklaroi gjithashtu se studio kinematografike ka gabuar në vendimin për mospublikimin e komedisë mbi vrasjen e liderit të Koresë së Veriut Kim Jong-un.“Ne do të përgjigjemi me masat e duhura, në kohën dhe vendin që do të gjykojmë ne si të përshtatshëm. Nuk mund të kemi një shoqëri, ku një diktator diku nëpër botë mund të çensurojë Shtetet e Bashkuara, sepse nëse ata e bëjnë këtë më një film, imagjinoni se çmund të ndodhë nëse atyre nuk ju pëlqen një dokumentar. Soni Pictures është dëmtuar dhe unë e kuptoj këtë, por gaboi në vendimin për ndalimin e filmit”.Më herët gjatë ditës në një deklaratë publike, FBI fajësoi Korenë e Veriut për sulmin elektronik ndaj Sony Pictures për filmin mbi liderin e saj Kim Jong-un.Në deklaratë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës pranojnë zyrtarisht përfshirjen e qeverisë së Phenianit në këtë ngjarje, duke thënë se mjetet dhe infrastruktura e përdorur në këtë sulm ishin të ngjashme me aktivitetin e mëparshëm të Koresë së Veriut.Kompania kinematografike Sony tërhoqi filmin "Intervista" pas kërcënimeve të piratëve informatikë, që më herët kishin publikuar informacione të rezervuara nga kompjuterët e saj.