HIV në shifra, 78 milionë numri i të infektuarve në rang botëror

HIV ose Virusi Imunodefiçitar njerëzor, u dallua fillimisht në fillim të viteve 1980-të në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Por zanafilla e tij është zbuluar të jetë Kinshasa e viteve 1920, një qytet që shërbente si pikë tranziti mes shumë vendeve të Afrikës dhe ku kalonin më shumë se 1 milionë persona në vit.Sot qyteti është pjesë e Republikës Demokratike të Kongos, por në atë kohë ishte koloni belge dhe njihej me emrin Leopoldvil, për nder të mbretit belg të kohës, Leopold.Falë ndërtimit të hekurudhave dhe lulëzimit të prostitucionit, virusi u shpërnda në qytete te tjera afrikane si Kisangani dhe Mbuxhi-Maji dhe në minierat e Lubumbashit.Mendohet se virusi mbërriti në SHBA në vitin 1968, para se të shpërthente në të gjithë botën në vitet 80' pas pikasjes nga amerikanët.Virusi është një mutacion i virusit që shkatërron sistemin imunitar te shimpanzetë dhe është transmetuar te njeriu me shumë gjasa përmes kontaktit me gjakun e infektuar të majmunëve.Sot, mëse 78 milionë persona janë të infektuar në botë dhe numri vazhdon të rritet, por ajo që bie në sy është ndarja e pabarabartë gjeografike e të infektuarve. 70% e tyre jetojnë në shtetet afrikane poshtë shkretëtirës së Saharasë.Fatmirësisht, ilaçet e fundit të dala në qarkullim kanë dhënë disa fije shprese, të paktën për sa i përket uljes së numrit të viktimave që kjo sëmundje merr.Numri i personave të infektuar në dhjetëvjeçarin e fundit është ulur me mbi 30%, kalimi i virusit nga nëna te fëmija është ulur me mbi 50%, ndërsa në nivel botëror, niveli i vdekjeve është ulur me 35%.Megjithatë, në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut vdekjet janë dyfishuar në këtë periudhë dhe në rang botëror, vetem 37% e personave të infektuar me virusin HIV kanë akses te kurat moderne të trajtimit.Prandaj, sot gjithmonë e më tepër, sfida më e madhe për të gjithë botën është ofrimi i kësaj mundësie për të gjithë personat e infektuar.