Putin kthehet pas në kohë, mbron paktin Molotov-Ribentrop
Presidenti rus, Vladimir Putin ka habitur jo pak të mërkurën me deklaratën e tij në mbrojtje të paktit të njohur si Molotov-Ribentrop, i firmosur mes Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë Naziste. Ai e bëri komentin gjatë një takimi në një auditor me akademikë të rinj rusë dhe mësues historie. Sipas Putinit, disa fakte historike nuk kanë sqaruar si duhet politikën e jashtme të Bashkimit Sovjetik në vitet para Luftës II Botërore, që është akuzuar shpesh për pushtimin e Polonisë dhe ndarjen e saj më dysh me Gjermaninë."Ka nga ata që vazhdojnë të debatojnë mbi paktin Molotov-Ribentrop dhe akuzojnë Bashkimin Sovjetik që ka ndarë Poloninë. E çfarë bëri Polonia kur gjermanët marshuan në Çekosllovaki? Pushtoi për vete një pjesë të saj. Bënë të njëjtën gjë dhe vetë. Por më pas morën edhe vetë një goditje, e u ndodhi e njejta gjë", tha Putin duke qeshur me ironi.Putin tha se duheshin bërë kërkime serioze për të hedhur poshtë punët e dyshimta të mëparshme dhe shtoi se Bashkimi Sovjetik nuk mund të fajësohej për nënshkrimin e një pakti paqësor me Gjermaninë."Nuk dua të fajsoj askënd në këtë pikë, por studime serioze kanë treguar se metoda të tilla ishin pjesë e politikës së jashtme në atë kohë. Bashkimi Sovjetik firmosi një pak kundër sulmit reciprok me Gjermaninë. Tani thonë se është diçka e keqe. Çfarë ka të keqe që Bashkimi Sovjetik nuk dëshironte të luftonte?", u shpreh presidenti rus.Në fund, ai shtoi se me kohën e fituar nga pakti, Bashkimi Sovjetik modernizoi ushtrinë e vet dhe kërkoi më shumë mirënjohje për sakrificën e bërë nga forcat aleate në rrëzimin e Gjermanisë Naziste.