Sulmet e hakerave iranianë vënë në alarm botën

Hakerat iranianë janë inflitruar në rrjetin e disa prej kompanive më të mëdha në botë në fushën e energjisë, transportit dhe infrastrukturës përgjatë dy viteve të fundit.Alarmin e ngriti kompania amerikane e sigurisë kibernetike, "Cylance", e cila tha se ata janë në gjendje që të shkaktojnë dëme të mëdha te kompanitë që kanë sulmuar.Shefi ekzekutiv i "Cylance", Stjuart MekKlwr, pranoi se hakerat iranianë kanë treguar aftësi të mira, duke depërtuar në rrjetet e ndërlikuara të mbi 50 kompanive të nivelit botëror, pavarësisht sistemeve të larta të sigurisë që ato zotërojnë.Në listë përfshihen kompani ajrore, universitete, kompani energjitike dhe telekomunikacioni dhe spitale, në vende të ndryshme si Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Kina, Arabia Saudite, India, Gjermania, Franca dhe Anglia.Sigurisht që Irani i ka hedhur poshtë akuzat duke i quajtur të pabaza, por "Cylance" i qendron atyre dhe madje ka dorëzuar një raport për gjithçka që pretendon edhe në zyrat e FBI-së.Edhe më parë, hakera kinezë dhe rusë janë fajësuar për disa sulme ndaj kompanive dhe qeverisë amerikane, por edhe Irani ka ngritur pretendime se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë përdorur një virus kompjuterik për të ngadalësuar programin e vet bërthamor.