Topi: Shqipëria e polarizuar ka nevojë për një parti si FRD

Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi ka zhvilluar sot një takim me krerët e degëve të partisë ndërsa ka publikuar edhe slloganin e kësaj force politike në fushatën elektorale e cila do të jetë "Fryma e Re Demokratike  për shtetin dhe qytetarët”.Në fjalën e tij, Topi ka theksuar se është e nevojshme që në Shqipëri të mos ketë vetëm dy pole politike, të cilët kanë si qëllim të pushtetit mbajtjen e pushtetit vetëm për vete.“Shqipëria ka nevojë të ketë jo vetëm dy pole politike që na kanë krijuar probleme pa fund. FRD nuk vjen vetëm për të marrë vetëm ato vota për të na dërguar në parlament, ne nuk japim shifra abuzive. Ne jemi të sigurtë që do shkojnë në parlament për të qenë vendimmarrjes të rëndësishëm”, tha Topi.Kreu i FRD-së, Topi theksoi më tej se situata politike parazgjedhore po dominohet nga një klimë konflikti dhe provokimi, që sipas tij janë tipike për regjimet të cilët po kalojnë ditët e fundit të jetës së tyre.“Të gjithë jemi dëshmitarë të ditëve të fundit, sesi pushteti dhe besnikët e tij kanë kaluar çdo limit të arsyes ligjore, duke tentuar të marrin atribute, të cilat në një demokraci janë të papranueshme. Shqetësues zhvillimet e fundit të keqpërdorimit të gjyqësorit dhe organeve kushtetuese për të njësuar tërësisht pushtetet në dorën e një njeriu. Deviza e regjimit ka qenë e mbetet: kush vret, kush vjedh, kush mashtron dhe kush shkel ligjin në interes të pushtetit dhe sundimtarit në krye të tij, - ka mbrojtje dhe është i paprekshëm Kushtetuta thotë se të gjithë janë të barabartë para ligjit, qeveria po e deformon këtë parim, duke thënë se ka njerëz, pa pushtetarë dhe ka klane pushteti që janë mbi cdo ligj e kushtetutë. Fatkeqësi që ende nuk ka fajtor për vrasjen e katër qytetarëve të pafajshëm, sic nuk ka ende fajtor për tragjedinë e Gerdecit, për skandalet e mëdha korruptive, etj. Shqiptarët e dinë kush janë fajtorët, partnerët tanë ndërkombëtarë e dinë, dhe vetëm qeveria refuzon ti dorëzojë ata” theksoi Topi.Topi e cilësoi si shqetësuese frymën e re antiamerikane që sipas tij po ndërmerret nga qeveria ditët e fundit. “Pasi e la 3 vite rradhazi Shqipërinë jashtë BE-së tani po kërkon dëmtimin edhe të marrëdhënieve me SHBA, aleatin tonë strategjik. Revanshi kundër SHBA është revansh kundër demokracisë dhe interesave tona shtetërore. Njeriu që nuk ka lënë gjyqtarë, prokuror, president, gazetar e diplomat pa denigruar sa herë ata kanë pasur qëndrime kritike me të, sot hesht, refuzon të flasë dhe fërkon duart duke ëndërruar se ende jemi në kohën kur pushteti nuk pyeste për Perëndimin. Kjo qeveri erdhi në pushtet duke tundur flamurin e integrimit dhe sot, brenda pak muajve të fundit BE e refufoi tre herë, dhe tashmë po e kritikon ashpër për retorikën konfliktuale në raport me fqinjët dhe parimet evropiane të demokracisë.  Partitë e vjetra treguan edhe njëherë se janë bashkë për të ndarë torta pushteti, ndryshuar kushtetutë e ligje zgjedhore, por nuk bëhen bashkë kur bëhet fjalë për interesa të mëdha për qytetarët dhe vendin, sic janë ligjet e integrimit” shtoi Topi.