Papa thirrje nga Turqia myslimane:T'i japim fund ekstremizmit
Në ditën e parë të vizitës treditore në Turqi, Papa Françesku bëri thirrje që t'i jepet fund të gjitha formave të fondamentalizmit dhe shtoi se nuk mjafton vetëm ndërhyrja ushtarake për të ndalur militantët islamikë, por duhet luftuar edhe kundër urisë dhe varfërisë.Pas takimit me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan në pallatin presidencial të sapondërtuar, Papa tha se dhuna e terroristëve nuk ka gjasa të ndalet në Irak dhe Siri, ku shumë të krishterë dhe myslimanë shiitë po përndiqen çdo ditë nga Shteti Islamik, mbështetës i një dege radikale të islamit sunit.Udhëheqësi shpirtëror i 1.2 miliardë katolikëve edhe një herë i kritikoi ashpër ekstremistët që pretendojnë të kenë ngritur Kalifatin në territoret e Lindjes së Mesme."Është e drejtë që gjithmonë duke respektuar ligjet ndërkombëtare, të ndalosh një agresor të padrejtë. Ajo që na nevojitet është një përkushtim i të gjithëve për të luftuar jo vetëm ushtarakisht, por edhe për të luftuar urinë dhe varfërinë".Papa lëshoi edhe një mesazh bashkëpunimi ndërmjet feve, të cilat janë thelbësore në ndalimin e dhunës kudo në botë."Dialogu ndërfetar dhe ndërkulturor mund të japë një kontribut të rëndësishëm në arritjen e këtij synimi fisnik dhe urgjent, në mënyrë që t'i japim fund të gjitha formave të fondamentalizmit dhe terrorizmit që cënojnë rëndë dinjitetin e çdo njeriu dhe shfrytëzojnë për keq fenë".Pasi falenderoi Turqinë për ndihmën që po u jep 1 milion e 600 mijë refugjatëve të strehuar në vend, Papa u takua edhe me klerikun më të lartë musliman në vend, Mehmet Gormez.Ndërsa para takimit me Erdoganin, Papa vizitoi mauzoleumin e Mustafa Qemal Ataturkut, themeluesit të shtetit modern turk në vitin 1923.Të shtunën ai do të udhëtojë për në Stamboll, ku do të takohet me Patriarkun ortodoks Bartolomeu I dhe do të firmosë një deklaratë të përbashkët me të në përpjekje për të afruar dy degët kryesore të krishtërimit, të ndara prej mëse 1 000 vjetësh.Gjithashtu ai pritet të vizitojë edhe Xhaminë Blu dhe Hagia Sofian, godinën që ka shërbyer për rreth 900 vjet si Kishë, 500 vjet si xhami ndërsa sot është Muze.Megjithëse 99% e 80 milionë banorëve të Turqisë janë myslimanë, në vend jetojnë ende 120 000 të krishterë.