FMN bekon buxhetin e Ramës, lëvron dhe fondin 53 mln euro
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka zgjedhur orët e vona të mbrëmjes për të bekuar paketën fiskale dhe buxhetin 2015 dhe si përfundim ka vendosur të lëvrojë fondin prej 53 milion eurosh në fund të janarit.Kreu i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar Nadeem Ilahi kërkoi të merren masa urgjenete për të hequr barrën e sektorit të enrgjisë në buxhet."Bordi Ekzekutiv i FMN-së pritet të diskutojë për shqyrtimin e dytë dhe të tretë të EFF-së në fund të muajit janar 2015. Aprovimi i shqyrtimeve do të mundësonte lëvrimin e 47,1 milion SDR (rreth 53 milion euro).Nevojiten urgjentisht reforma në sektorin e energjisë elektrike, për t'i dhënë fund barrës fiskale të këtij sektori. Autoritetet kanë filluar të bëjnë hapat e parë të rëndësishëm në zbatimin e planit të tyre për reformimin e sektorit të energjisë elektrike, i hartuar në konsultim me Bankën Botërore. Ky plan përfshin kufizim të vjedhjeve të energjisë elektrike, propozime për të ristrukturuar tarifat brenda fundit të vitit 2014 (që do të zbatohet në tremujorin e parë të vitit 2015) dhe një reformë institucionale të ndërmarrjeve shtetërore që ushtrojnë aktivitet në këtë sektor. Rritja e kreditimit po rigjallërohet por vazhdon të mbetet e ulët, e prekur nga niveli i lartë i kredive problematike dhe dobësitë në fushën e ekzekutimit të kontratave. Shkalla e rritjes ekonomike parashikohet të jetë rreth 2 për qind këtë vit" u shpreh ai.Ndërkohë ministri i Financave deklaroi se synim për të ardhmen do të jetë konsolidimi fiskal.“Konsolidimi fiskal është në fokusin e uljes së rreziqeve që i kanosen financave shqiptare, si dhe rritjes ekonomike nga mbajtja e një niveli relativisht të lartë, si dhe me kosto ose të shtrenjtë të borxhit publik në nivelin aktual ku jemi”, u shpreh ministri Cani.Ministri i Zhvillimit Ekonomik,Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj deklaroi se viti 2015 do të jetë viti i korrektimit të keqmenazhimit të sistemit energjitik.“Viti 2015 është vit që merr përsipër të fillojë korrektimin e 22 viteve keqmenaxhim në sektorin elektro-energjitik shqiptar. Kjo është një masë tejet e guximshme dhe tejet e përgjegjshme”, u shpreh Ahmetaj.Guvernatorja në detyrë e Bankës së Shqipërisë, Elisabeta Gjoni,ka përcaktuar si problem rritjen ekonomike e ndikuar kjo prej aktivitetit kreditues.“Primot e rrezikut në ekonomi mbeten të larta. Gatishmëria për të ndërmarrë rrezik në sektorin real e financiar të ekonomisë shfaqet i ulët dhe aktiviteti kreditues mbetet akoma i dobët”, u shpreh Elisabeta Gjoni.Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), nën drejtimin e zotit Nadeem Ilahi, vizitoi Tiranën gjatë periudhës 17-25 nëntor 2014, për të zhvilluar diskutime për shqyrtimin e dytë dhe të tretë të programi në kuadrin e Marrëveshjessë Fondit të Zgjeruar.