Shqiptarët në Çamëri, PDIU kërkon statusin e pakicës kombëtare

Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet i kërkoi sot qeverisë shqiptare që të kërkojë statusin e pakicës kombëtare për shqiptarët e mbetur në Çamëri.Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet, i ka bërë thirrje instancave më të larta të shtetit shqiptar që ti kërkojnë shtetit grek dhe Bashkimit Evropian, njohjen zyrtare të statusit të pakicës kombëtare të shqiptarëve në Çamëri.“PDIU, Shoqata Çamëria, Klubi i Patriotëve të Rinj dhe çdo shqiptar i kërkon sot në mënyrë zyrtare dhe të drejtpërdrejtë Presidentit të Republikës, Kryeministrit, Ministrit të Jashtëm dhe çdo instance tjetër shtetërore të ngrenë çështjen e pakicës së mbetur të shqiptarëve të Çamërisë ndaj homologëve të tyre grekë dhe Bashkimit Evropian. Kërkesa e palës shqiptare duhet të jetë njohja zyrtare e statusit të pakicës kombëtare të shqiptarëve në Çamëri”.Sipas anëtarit të kryesisë së PDIU-së, Ardit Bido, pakicës së mbetur të shqiptarëve të Çamërisë sot u mohohen të drejtat më bazike.“Atyre u mohohen sot të drejtat bazike: e drejta e të vetëdeklaruarit shqiptar dhe arsimimit, meshimit e komunikimit në gjuhën amtare. Është e pafalshme nëse shteti shqiptar vijon të heshti!”