PDK dhe LDK vendosin: Parlamenti mblidhet me 8 dhjetor
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kërkojnë që seanca e parë parlamentare prej nga ku do të dalë edhe kryetari i ri i Kuvendit të mbahet më 8 dhjetor.Sipas raportimeve nga Kosova, të dy krerët e partive, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, për këtë kanë informuar edhe Presidenten Atifete Jahjaga.Edhe pse Presidentja nuk është dakord me këtë vendim dhe u ka kërkuar palëve që t'i formojnë institucionet brenda këtij muaji, dy kryetarët e partive janë justifikuar me faktin se po punojnë ende për të harmonizuar mes tyre programin e qeverisë së re.Javën e kaluar, LDK e Mustafës u shkëput nga blloku që kishte formuar me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Vetevendosjen dhe Nismën, për t'iu bashkuar PDK-së në një klalicion që habiti jo pak.Shtyrja e afatit të krijimit të institucioneve duket se po vjen për faktin që palët nuk kanë rënë ende dakord për emrin e Kryeministrit të ri.LDK ka këmbëngulur disa herë se e vetmja alternativë për ta është Isa Mustafa, ndërkohë që Thaçi në asnjë nga daljet e tij në publik që prej arritjes së marrëveshjes, nuk e ka prekur këtë temë.