Netanjahu: Njohja e Palestinës nga Europa, gabim i madh
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, paralajmëroi edhe një herë këtë të martë Europën se njohja e njëanëshme e Palestinës, pa u zhvilluar negociata do të ishte një gabim i madh.Gjatë një takimi me kryeministrin çek, Bohuslav Sobotka, Netanjahu u bëri thirrje vendeve europiane që të mos e rrezikojnë paqen."Nevojitet që të ketë njohje dypalëshe dhe marrëveshje të forta sigurie në terren, të cilat janë thelbësore për paqen. Këto nuk merren në konsideratë nga vendet europiane që e njohin në mënyrë të njëanëshme shtetin e Palestinës.Mendoj se ky është një gabim i madh për paqen, inkurajon palestinezët që të ashpërsojnë qendrimin e tyre, të mos bëjnë kompromise për njohjen e dyanëshme dhe gjërave thelbësore për arritjen e sigurisë. Mendoj se qendrimi i këtyre vendeve europiane më tepër e largon paqen dhe e bëjnë më të vështirë gjetjen e një zgjidhjeje".Reagimi i Izraelit vjen pasi Suedia e njohu zyrtarisht shtetin e Palestinës, ndërkohë që parlamenti britanik dhe ai spanjoll u kanë kërkuar qeverive respective që ta njohin Palestinën si shtet dhe në Parlamentin Europian do të votohet të enjten për këtë temë.Në total, Palestinën e kanë njohur 135 shtete, përfshi edhe disa europiane para se të futeshin në BE. Përveç një votimi jozyrtar në parlamentin britanik dhe votimeve të ngjashme që do të mbahen edhe në Spanjë, Francë, Irlandë.Disa vende të BE-së, që janë më pranë pozicionimit të Izraelit, kanë shfaqur irritimin e tyre ndaj Suedisë, por gjithsesi veprimi i shtetit skandinav tregoi se në kontinent po përfundon durimi për mungesën e përparimit të bisedimeve.Sidomos me veprimet e fundit të Izraelit për të ndërtuar godina për shtetasit e vet në tokat e banuara më parë nga palesintezët ka rritur shqetësimin për përshkallëzimin e konfliktit mes dy kombeve që sapo kanë dalë nga lufta pothuaj dy mujore në Rripin e Gazas.