Komisioni i Ekonomisë rrëzon Ramën për pijet energjike, lë në fuqi akcizën

Deputetët e maxhorancës kanë rrëzuar propozimin e qeverisë për heqjen e akcizës për pijet energjike.Pas diskutimesh të gjata dhe pavarësisht deklaratës së Kryeministrit se kjo taksë do të hiqet, Komisioni i Ekonomisë ka votuar me unanimitet për të lënë në fuqi akcizën për pijet energjike në nivelin 30 lekë për litër.“Vende te ndryshme kanë taksa të ndryshme, mes tyre dhe akcizë. Pijet energjike do të vijojnë të taksohen me akcizë, duke e ridimensionuar sipas standardeve të Bashkimit Evropian.Akciza për pijet energjike do të jetë 30 Lek për litër” tha kreu i Komisionit, Erion Braçe.Relatori i buxhetit, Anastas Angjeli, prezantoi disa shtesa në fonde për disa prej institucioneve që kishin kërkuar më shumë para, midis tyre Presidenca, Ministria e Bujqësisë dhe e Shëndetësisë.“Ministrisë së Bujqësisë 70 mln lekë shtesë nga 5 mld që kërkoi.Një fond shtesë prej 10 mln lekë për Institucionin e Presidencës. Një fond shtesë prej 5 mln për Akademinë e Shkencave. Një fond shtesë prej 3 mln lekë akordohet për ILDKP. Ministrisë së Shëndetësisë i ofrohet një fond prej 162 mln lekë”.Buxheti dhe paketa fiskale pritet që të kalojnë për miratim nen për nen në Parlament ditën e enjte.