Reshje të dendura dëbore në Kukës, rrezikon të izolohet veriu

Reshje të dendura dëbore kanë përfshirë mëngjesin e sotëm të gjithë zonën verilindore të vendit. Reshjet të cilat kanë nisur që në orët e para të së shtunës kanë bërë që brenda orës të zbardhin, jo vetëm zonat rurale, kryesisht ato mbi 800 metër mbi nivelin të detit, por edhe qytetet e Kukësit,Krumës e Bajram Currit.Kështu brenda orës dëbora ka zbardhur qytetin e Kukësit, ku trashësia e dëborës ka arriturderi tani në rreth 15 centimetra, ndërkohë që në zonat e thella malore trashësia e dëborës ka arritur në 25 centimetra.Pavarësisht reshjeve të dëborës, deri tani nuk janë shfaqur probleme të mëdha në akset rrugore që lidhin komunat me qytetin e Kukësit, edhe pse trashësia e dëborës ka arritur në mbi 30 centimetra në komunat e Shishtavecit, Kalisit, Grykë Cajës, Topojanit, Zapodit, Bushtricës,Golajve,Fajzave,Tropojës së Vletër,Lekbibajve, Arrnit,etj. Sipas përgjegjësit të zyrës së emergjencave civile pranë prefekturës së Kukësit, bëhet e ditur se deri tani të gjitha akset rrugore janë të kalueshme, ndonëse përdorimi i zinxhirëve është bërë i domosdoshëm.Ndërkohë,sipas drejtorit rajonal të rrugëve Arben Basha, bëhet e ditur se e gjithë vëmëndja është përqëndruar në aksin kombëtar Kalimash-Kukës-Morinë, në të cilin është pastruar edhe gjatë natës, ndërkohë që për momentin atje po punojnë 5 borëpastruese për ta mbajtur të hapur dhe për të evituar bllokimin e qarkullimit të automjeteve.Po sipas tij, për mbajtjen nën kontroll të situatës në akset rrugore janë vënë në përdorim edhe borëpastrueset që janë kontraktuar më herët në mënyrë që akset nacionale të mos izolohen.Kjo ka bërë që pavarësisht reshjeve të dëborës, akset rrugore Kukës - Shishtavec, Kukës - Qafë Shllak, Kukës - Peshkopi dhe Bajram Curri - Qafë Mali të mbahen të hapura, edhe pse trashësia e dëborës në segmente të vecanta të tyre ka arritur në mbi 40 centimetra. Problem mbeten akset rrugore rurale, në të cilat edhe trashësia e dëborës është akoma më e madhe, e ku mjetet borëpastruese e kanë shumë të vështirë të futen.