Pranga ish-Kryeministrit portugez, akuzohet për transferta të dyshimta
Policia portugeze ka arrestuar ish-kryeministrin socialist, Zhoze Sokrates dhe tre persona të tjerë, si pjesë e operacionit pas hetimeve për evazion fiskal.Në një deklaratë të lëshuar nga Prokuroria e Përgjithshme e vendit thuhet se Sokrates, i arrestuar të premten, do të dalë para gjykatës për t'u marrë në pyetje në lidhje me disa operacione të dyshimta bankare dhe transferime parash.Agjencia portugeze shtetërore e lajmeve “Lusa”, bëri të ditur se policia e kishte arrestuar ish-kryeministrin në aeroportin e Lisbonës, ndërsa ai po kthehej nga nëj udhëtim jashtë vendit.Sokrates pati dhënë dorëheqjen në vitin 2011, në mes të mandatit të tij të dytë si Kryeministër, pasi kriza e rëndë e borxheve e detyroi atë të kërkonte ndihmën e BE-së, çka solli edhe masa të shumta shtrënguese për vendin.Zgjedhjet e parakohëshme të atij viti sollën në pushtet koalicionin e qendrës së djathtë, por masat shtrënguese nuk u ndërprenë.Pasi dha dorëheqjen, Sokrates u transferua në Paris ku kreu një studim pasuniversitar. Ai u kthye në Portugali në vitin 2013 dhe u bë analist i rregullt në televizionin shtetëror portugez.Sot, Partia Socialiste kryeson sondazhet popullore para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.