Kosovë, partitë fillojnë “luftën” për zgjedhjet lokale
Partitë politike në Kosovë kanë filluar t’i “mbrehin shpatat” për të fituar zgjedhjet e ardhshme lokale në vend, të cilat parashikohen të mbahen në vjeshtën e këtij viti.Drejtuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kohët e fundit i kanë intensifikuar takimet me kryetarët e degëve, nga të cilët, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, është duke kërkuar angazhim maksimal për t’i fituar zgjedhjet e ardhshme lokale, që pritet të mbahen në fund të këtij viti, shkruan gazeta “Zëri”.Ndonëse në zgjedhjet e fundit të 2009-ës PDK-ja ka fituar shumicën e komunave, megjithatë, partitë më të mëdha janë të bindura se në këto zgjedhje do të jenë kandidatët e tyre që do të fitojnë nëpër komuna.Besohet se gara më e “nxehtë” do të jetë ajo për kryetar të Prishtinës, ku prej trembëdhjetë vjetësh zgjedhjet i ka fituar Lidhja Demokratike e Kosovës.Njëri nga nënkryetarët e LDK-së, Haki Rugova, thotë se takimet e shpeshta të kryetarit të kësaj partie, Mustafa, me bashkëpartiakët e tij kanë për qëllim përgatitjen sa më të mirë, siç thotë ai, që t’i fitojnë zgjedhjet komunale në vend.