BE: Nevojiten 3 raunde bisedimesh për veriun e Kosovës

Ndërsa disa çështje praktike do të vijnë drejt mbylljes mes Beogradit dhe Prishtinës, statusi i veriut të Kosovës mbetet një pengesë që BE-ja thekson se do të zgjidhet vetëm përmes vazhdimit të dialogut ndërmjet të dy vendeve.Zyrtarë të BE-së thonë se janë të nevojshëm tre raunde bisedimesh për zgjidhjen e çështjes së veriut të Kosovës. "Një ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, një tjetër mes autoriteteve të Prishtinës dhe serbëve në veri, dhe e treta mes serbëve nga të dyja anët e lumit Ibër", tha për SETimes Stojan Pelko, zëdhënës për zyrën e BE-së në Kosovë."E vetmja zgjidhje e qëndrueshme është ajo për të cilën të dyja palët do të bien dakord. Pra, kjo përgjegjësi u përket palëve në dialog. Zgjidhja për këtë çështje duhet të jetë një zgjidhje e vërtetë për Kosovën, jo e modeluar pas shembuj të tjerë", tha Pelko.Shqiptarët e Kosovës insistojnë se zgjidhja për veriun e Kosovës të bazohet në Planin e Ahtisaarit që ishte bazë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, por serbët e Kosovës dhe Beogradi refuzojnë.Serbët e Kosovës mbajtën një tubim proteste në 30 janar duke përsëritur se ata nuk i njohin institucionet e Prishtinës, dhe duke kërkuar që Beogradi të garantojë zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel deri më tani.Labinot Greiçevci, drejtor ekzekutiv i Institutit RIDEA në Kosovë, tha se zbatimi paqësore i parimeve të Ahtisaarit është i mirë, dhe potencialisht e vetmja zgjidhje e qëndrueshme dhe afatgjatë për veriun e Kosovës."Në thelb, pakoja e Ahtisaarit është edhe skenari dhe plani i vetëm i cili është në përputhje me vlerat evropiane dhe konceptin e patriotizmit kushtetues, i cili përbën formon bazën e shtëpisë evropiane", tha Greiçevci për SETimes.Zgjidhja, megjithatë, vazhdon të varet nga institucionet paralele në veri të Kosovës.Slobodan Samarxhic, nënkryetar i Partisë Demokratike të Serbisë, mendon se Serbia duhet të ruajë institucionet e saj në veriun e Kosovës me çdo kusht, pasi ato janë vendimtare për të mbrojtur interesat kombëtare dhe shtetërore të Serbisë dhe të serbëve të veriut të Kosovës."Çdo zgjidhje tjetër që do të përfaqësojnë institucionet në Kosovën e pavarur do të jetë shkatërruese për serbët dhe Serbinë, e cila do të dorëzojë në këtë mënyrë një pjesë të territorit të saj. Serbia duhet t'i ruajë ato institucione", tha Samarxhic për SETimes.Në një takim në janar me përfaqësuesin special të BE-së në Kosovë Samuel Zbogar, ambasadorët perëndimorë dhe përfaqësues ndërkombëtarë, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se Serbia u kthye në skenarin e vjetër të ndarjes dhe shkëmbimit të territoreve."Nuk është nevoja që unë t'ju kujtoj në lidhje me rezultatet katastrofike që do të prodhojë tendenca për ndryshim kufijsh në Ballkan. Për këtë, deklarata juaj e shpejtë dhe e qartë për këtë çështje është e domosdoshme", tha Thaçi.Oliver Ivanovic, ish sekretari i shtetit i ministrisë për Kosovën, tha se veriu gjithmonë do të jetë ndryshe."Kabineti i Thaçit duhet ta kuptojë këtë dhe të gjejë një platformë ligjore për t'iu përshtatur veriut. Veriu nuk do të shkëputet nga pjesa tjetër e Kosovës, por as Kosova nuk mund të shkëputet nga Serbia", tha Ivanovic.