Për një debat mbi arsimin e lartë
Problemet e arsimit të lartë, së bashku me komponentët e tjerë të shkollës shqiptare, të trajtuara në librin e prof. asoc. dr. Tonin Gjuraj, janë vendimtare për përparimin afatgjatë të kombit, ashtu siç ka thënë rilindësi, poeti ynë kombëtar, Naim Frashëri, “Dritë e diturisë përpara do të na shpjerë”. Sfidat e zhvillimit të sotëm, në kuadrin e një globalizimi, pra dhe të një ekonomie të hapur ndaj të gjithëve, kërkojnë njerëz të pajisur me dije të nivelit të lartë, si për sa u përket detyrave aplikative, ashtu dhe për ato të analizës e të menaxhimit. Veçmas fushës së ekonomisë, ku zhvillohen procese, me të e për të, procese të tjera zhvillohen edhe në kuadrin e jetës shoqërore e politike, gjithnjë me kërkesa për njerëz të aftë e të përgatitur. Janë pikërisht këto sfida të sotme, që përpara shoqërisë shqiptare shtrojnë kërkesa për cilësinë e përgatitjes me dije në fushën e arsimit të lartë. Tashmë në botën e përparuar pranohet nga të gjithë se mirëqenia vjen kur ka njerëz punëtorë, institucione që funksionojnë dhe një shkollë të mirë.Autori, për ta bërë më të saktë e të plotë këtë studim të artikuluar, shkrimet e mbledhura i shoqëron edhe me një vështrim historik për zhvillimin e arsimit të lartë në Shqipëri. Z.Gjuraj dallon karakterin ideologjik të programeve dhe dijeve, mësimdhënien pa vlerësimin relativ të dijeve, pra pa paraqitje të dijeve “ndryshe” apo “të tjera”, çka ndihmoi dhe në formimin e ngurtë të kuadrove, që ishin njësi të mbyllura, praktikisht dhe mungesë e shanseve të barabarta për të gjithë, por dhe për seleksionim e studentëve dhe degëve; njëkohësisht pa lidhje organike midis programeve dhe nevojave reale të tregut të punës.Periudha tjetër pas viteve `90-të krijoi shanse të barabarta për të gjithë; hapje ndaj shkencës botërore, tekste të shumta, lidhje shkencore me botën, si dhe ardhjen e një brezi pedagogësh të mësuar në Perëndim. Por, siç vëren autori i studimit, një dukuri e re, Shkolla e Lartë Private, dha një shtysë në kuptimin e mundësive më të mëdha për t`u diplomuar, që do të thotë shanse reale për të gjithë. Veç kësaj u krijuan mundësi për specialitete të reja, sepse tashmë arsimi nuk orientohet prej një administrate pak a shumë konservative, por nga nevojat e tregut.Universitetet private, me liri më të madhe akademike, pa pengesa në tërheqjen e pedagogëve të aftë, shpejt u bënë pole atraktive, jo vetëm për ata që i kishin mundësitë ekonomike për t`i frekuentuar, por edhe për shumë të tjerë pa këto mundësi ekonomike, falë dhe një politike mbështetëse për studentët e talentuar. Autori duke evidentuar kontributin e pamohueshëm të universiteteve private në shtimin e numrit të studentëve, ku vendi ynë është shumë pas vendeve të përparuara dhe atyre të rajonit, me të drejtë kërkon kontrollin dhe akreditimin, informimin e studentëve për këto mundësi, por edhe një sistem të pavarur të vlerësimit të diplomave dhe rankimimin e detyrueshëm të të gjitha shkollave të larta, publike e private, si dhe informimin për perspektivën e punësimit në tregun e punës.Shkollat e larta private kanë organizuar dhe sistemin e kualifikimit master dhe doktoraturë, që tregon efikasitetin e tyre dhe mundësitë e sistemit. Por, për një vlerësim real të tyre është e drejtë dhe kërkesa për një transparencë të plotë të të gjitha universiteteve shqiptare, për ta orientuar më mirë dhe me dobi këtë treg të ri. Autori ngre gjithashtu dhe nevojën për përgatitjen e studentëve të talentuar që nesër do të bëhen superspecialistë për fusha të ndryshme, një nevojë e domosdoshme qysh sot.Në këtë botim nuk bëhen vetëm analiza, por shtrohen dhe kërkesa e propozime për rritjen e nivelit të arsimit të lartë publik e privat duke shfrytëzuar drejt dhe në përputhje me stadin e sotëm të vendit përvojën e vendeve të përparuara dhe, do të shtoja, jo vetëm anglosaksone, por edhe për domosdoshmërinë e një mbështetjeje nga ana e shtetit (të shkollave ose studentëve), sepse shkolla e lartë private ka dhe një funksion social: plotëson nevojat e vendit dhe prandaj mbetet si detyrë që të gjenden rrugët e një zgjidhjeje të mundshme ligjore dhe afatgjatë.Ne mbështesim opinionin e arsyetuar të prof.asoc. Tonin Gjuraj se arsimi privat, pavarësisht vërejtjeve dhe mangësive që ka, po jep një kontribut me vlerë në rritjen e të arsimuarve, duke qenë një faktor i dobishëm për zhvillimin e vendit. Autori me të drejtë e vlerëson tejet të rëndësishme lirinë akademike, çka do të thotë se nuk i dikton administrata (pra dhe politika) programet dhe diversitetin e tyre, numrin e studentëve, kërkimet shkencore, specializimet e të tjera. I drejtë është dhe përfundimi i autorit se në universitetet private kjo kërkesë po realizohet më mirë sesa në universitetet shtetërore.Duke e parë të pamjaftueshëm angazhimin e universiteteve shtetërore për kërkime shkencore reale, të organizuara e të bashkërenduara në programe kombëtare, pa përjashtuar dhe nismat individuale, universitetet private duhet të ofronin mundësi të mëdha, duke krijuar struktura kërkimore, që nuk po shihen ende në përmasat e duhura; ndoshta duhet dhe kohë. I drejtë është mendimi se kërkimi shkencor duhet të jetë shtylla qendrore e universiteteve tona, jo me kërkime formale për mastera e PhD, por me rezultate shkencore të paraqitura në botën shkencore dhe të njohura si të tilla. Kjo kërkon një riorganizim të strukturave përgjegjëse nëpërmjet një komisioni-komiteti–fondacioni, jo i përbërë nga administratorë politikë apo zyrtarë të arsimit të lartë, por nga autoritete reale dhe me përvojë organizimi e drejtimi të kërkimeve, i cili shqyrton programet dhe kërkesat për fonde, duke i konsideruar të barabarta shkollat e larta private dhe shtetërore, institutet shtetërore dhe joshtetërore, si dhe fondacionet kërkimore e individët jashtë e brenda shtetit. Me vlerë janë dhe gjykimet e rekomandimet për nevojën e botimeve shkencore, të cilat deri më sot, për shkak të mbështetjes së pakët, janë minimale. Ndoshta duhet të rishikohet e drejta për sponsorizime me më shumë përqindje në fondet nga sipërmarrjet dhe akoma më të lartë nga individët privatë.Ne i quajmë të drejta vërejtjet për defektet, që autori i studimit vëren në qenien dhe veprimtarinë e universiteteve private, sidomos detyrimin për të pasur parasysh dimensionin social dhe natyrën private të ndërtimit të tyre, si dhe nevojën e një baraspeshimi të të dy përbërësve. Dhe këtu shteti nuk po e luan rolin e kontrollorit të tyre, sidomos për sa i përket cilësisë, pa mënjanuar dhe vetëpërgjegjësinë e këtyre institucioneve dhe prandaj nuk duhet të harrojmë, vëren ai, se dhe për vetë shtetin duhet të ketë rregulla e detyrime në dobi të plotësimit të standardeve të kërkuara në fushën e arsimit dhe jo vetëm të arsimit të lartë.Kjo analizë e problemeve të arsimit të lartë në Shqipëri ishte e nevojshme dhe e dobishme; ajo përbën një vlerë të pamohueshme të këtij studimi, dhe për këtë autori duhet përgëzuar, madje këto ide e përfundime duhet të jenë subjekt i një diskutimi të mëtejshëm në të gjitha aspektet për studimet më të hollësishme, por dhe për propozimet që duhen paraqitur përpara forcave politike dhe vetë shtetit.(Panorama)