Balla akuza Imamit, denoncon shitjen e pronave në komunën e Dajtit
Për të denoncuar shitjen e pronave të ushtrisë deputeti Taulant Balla është ndalur në një zonë shumë pranë kryeqytetit, në koumunën e Dajtit, ku sipas tij Minisitria e Mbrojtjes ka nxjerrë në shitje 85 mijë metra katrorë.“Arben Imami po shet disa reparte ushtarake, totali i të cilave shkon në 85 mijë metra katrorë. Jo vetëm vlera e shitjes që është shumë larg vlerës reale, por ajo që vihet re edhe këtu është në radhë të parë mungesa e çdo lloj komunikimi të domosdoshëm dhe institucional me institucionet e qeverisjes vendore dhe e dyta mos marrja parasysh e asnjë kërkese minimale të komuniteteve që jetojnë këtu” tha ai.Sipas deputetit, këto prona të ushtrisë po shiten me një cmim shumë larg vlerës së tyre reale dhe pa u konsultuar me pushtetin vendor, që kishte kërkuar që në këtë zonë të ngrihej një shkollë për të plotësuar nevojat e komunitetit.“Kur thashë pak më sipër se nuk ka marrë parasysh kërkesat e komunitetit, i referohem dokumentacionit të përgatitur prej Komunës Dajt dhe drejtuar Kryeministrit të kësaj qeverie, Sali Berishës, ku i kërkon që një prej këtyre reparteve prona të ushtrisë këtu në Dajt, të mos shiten, të mos privatizohen, por të shkojnë për nevojat e komunitetit të kësaj zone për të ndërtuar një shkollë. Por kërkesa e këtij komuniteti për të ndërtuar një shkollë nuk është marrë parasysh as nga Saliu dhe as nga Arben Imami” theksoi Balla.Sipas deputetit, kjo mënyrë shitje pa konsultim me asnjë prej të interesuarve hedh dyshime për afera korruptive të pushtetit me pronat e Ushtrisë.