Meta rizgjidhet kryetar i LSI: Fitore e bukur, me garë dhe debate
Rikonfirmohet për një mandat të dytë në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kreu aktual i saj Ilir Meta. Rezultatet e votimit të një dite më parë dëshmuan një fitore bindëse të tij ndaj kandidatit tjeter, Luan Rama. Nga votat e 31 442 anëtarëve te LSI, Ilir Meta ka marrë 24 439 vota ndaj 6653 që kishte arritur të fitonte kundeshtari i tij Luan Rama. Vetë Ilir Meta e çmoi këtë fitore si shumë të vlefshme, duke vlerësuar garën dhe debatin e hapur brenda partisë. Sipas tij politika ka nevojë për debat dhe LSI e sjell politikën në një stad më të lartë.“Falënderoj gjithë anëtarët që iu përgjigjën garës së djeshme dhe morën pjesë në këtë manifestim të demokracisë, transparencën, ata që votuan për kandidatin tjetër, Luan Rama, duke shprehur kurajën e tyre, mendimin e tyre dhe duke e bërë këtë garë edhe më domethënëse.Fitorja më e madhe është hapja e një debati brenda LSI, dhe duhet që ky debat të vijojë edhe në Konventën zgjedhore që do zhvillojmë javën e ardhshme, debat që do zhvillohet në raport me gjithë qytetarët në prag të zgjedhjeve të 2013 se politika kë nevojë për debat, mendim alternativë, bashkejetëse të qytetëruar”- u shpreh Meta.Edhe Luan Rama vlerësoi garën transparete, duke përsjellë urimet e tij per Ilir Metën.“Kemi mbyllur një garë shumë të rëndësishme, gjej rastin të falënderoj anëtarët që morën pjesë në këtë proces, që shprehën vullnetin me votë dhe gjithë ata që mbështetën emrin tim në këtë garë. I gjithë ky proces edhe mua më motivon për të rritur angazhimin dhe përgjegjësitë dhe kontribuar që LSI jo vetëm të rritet numerikisht, por të rrisë peshën dhe ndikimin në jetën politike në vendit që në zgjedhje LSI të fitojë më shumë votues e të jetë faktori përcaktues për ecurinë e vendit në rrugën e integrimit”- tha ai.Një ditë më parë anëtarë te LSI shkuan drejt kutive te votimit ne te gjithe Shqiperine, në 159 qëndra votimi dhe me parimin nje anetar nje vote ia besuan drejtimin e partise kryetarit aktual Ilir Meta.