Arvizu: 21 Janari, çështje shqiptare. Akuzat e gjyqtarëve, të pabaza
Ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu i cilësoi si të pabaza akuzat e trupës gjyqtare të çështjes së 21 Janarit për ndërhyrje në proces.Në një prononcim për mediat pas takimit me kryeprokurorin Adriatik Llalla ambasadori Arvizu është shprehur se procesi i 21 Janarit është një çështje shqiptare dhe SHBA-ja ka ofruar asistencë teknike për hetimet pas kërkesës së prokurorisë."Ky rast ka qënë gjithmonë dhe do te jetë një çështje shqiptare pasi nuk është çështje amerikane pasi s`ka pasur amerikanë të përfshirë. Përfshirja amerikane buron nga një kërkesë specifike dhe e drejtëpërdrejtë nga Prokurori i Përgjithshëm një kërkesë që u miratua nga qeveria shqiptare që SHBA të ofronin asistencë teknike që të lehtësonin hetimin, dhe ne këtë bëmë. Lidhur me deklaratën nga gjykata e Tiranës e cila sugjeron se SHBA po ndërhyjnë në proces gjyqësor e respektoj, por nuk bie dakord, pasi akuza është e pabazë. Përfshirja jonë buron drejtëpërdrejtë nga një kërkesë nga prokurori i përgjithshëm dhe kjo kërkesë u miratua dhe nga Qeveria e Shqipërisë" theksoi Arvizu.Ambasadori Arvizu është shprehur më tej se SHBA-ja i përmbahet qëndrimit të saj se mënyra më e mirë për të zbardhur ngjarjen është hetimi i shkaktarëve të saj."Para së gjithash në vijim të asaj dite të tmerrshme të 21 Janarit SHBA e ka bërë të qartë që mënyra më e mirë për ta trajtuar këtë tragjedi ishte një hetim për atë që e shkaktoi atë ngjarje. Dhe kemi theksuar që ky hetimi duhet të ishte i besuar, dhe besueshmëria është koncepti kyç për këtë. Dhe që hetimi të ishte i besueshëm duhet të adresoheshin disa elementë, si kush e organizoi, sjelljen e demonstruesve dhe sjelljen e gardës së republikës në fund. Ky ka qënë pozicioni ynë dhe nuk ka ndryshuar” ka theksuar ambasadori.Diplomati amerikan ka vlerësuar gjithashtu edhe punën e bërë nga prokuroria e përgjithshme për hetimin e ngjarjes së 21 Janarit.