Gjykata:Deklarata e SHBA-së,shqetësuese.Ndërhyrje në procesin e rregullt ligjor

Trupa gjyqësore e cila dha vendimin për shpalljen të pafajshëm të dy gardistëve të akuzuar për ngjarjet e 21 Janarit i ka cilësuar reagimet e djeshme të ambasadës së SHBA-së në Tiranë si ndërhyrje në një proces të drejtë, ligjor e të paanshëm.Në një deklaratë për shtyp, tre gjyqtarët e çështes së 21 Janarit, Besnik Hoxha, Ardiana Beraj dhe Arjana Gumbardhi i cilësojnë si paragjykuese deklaratat e ambasadës amerikane pasi sipas tyre vendimi nuk është zbardhur ende.Ja deklarata e plotë e tre gjyqtarëve të 21 JanaritDje trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët e kësaj Gjykate, Z.Besnik Hoxha,  Znj. Ardjana Beraj dhe Znj. Arjana Gumbardhi, pas shqyrtimit të çështjes  nëpërmjet një proçesi të rregullt ligjor shpallën vendimin lidhur cështjen Nr. 70 Akti dt. 30.04.2012 regjistrimi në ngarkim te të pandehurve Ndrea Prendi, Agim Llupo e Margarit Kume ku këta shtetas u deklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e ngritura nga Prokuroria në ngarkim të tyre, ato të:  "Vrasjes me dashje të kryer në rrethana të tjera cilësuesë, e kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave" parashikuar nga neni 79 gërma "ë" i K.Penal , "Vrasjes me dashje të kryer në rrethana të tjera cilësuese, e kryer kundër dy, ose më shumë personave", parashikuar nga neni 79 gërma "dh" i K.Penal" dhe "Veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës", parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal.Vendimi i plotë duke përfshirë arsyetimin dhe argumentat e trupit gjykues në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë do të zbardhet dhe behet publik brenda afatit ligjor. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe gjyqtarët e saj janë të vendosur për zbatimin e ligjit dhe të angazhuar për shtetin ligjor në Shqipëri.Në këtë kuadër është e qartë se i takon tashmë institucionit të Prokurorisë që pas zbardhjes së vendimit të vendosë se çfarë hapash ligjorë mund të ndërmarrë lidhur me këtë vendim.Në këtë kontekst, deklarata e Ambasadës se SHBA në Tiranë është shqetësuese  dhe ndërhyn në proçesin e rregullt ligjor nëpërmjet komenteve mbi një çështje përpara zbardhjes së vendimit nga trupi gjykues, përpara qëndrimit të prokurorisë mbi hapat e mundshëm  dhe përpara mbylljes së proçesit të rregullt ligjor lidhur me këtë çështje. Deklarata të tilla mund të jenë paragjykuese ndaj këtij proçesi të drejtë, ligjor dhe të paanshëm.Duke shprehur vendosmërinë dhe angazhimin tonë të plotë për sundimin e ligjit dhe një proçes të rregullt, të paanshëm dhe të besueshëm ligjor, bëjmë thirrje për të shmangur çdo qëndrim paragjykues ndaj këtij proçesi dhe punës e misionit të Gjykatës në përgjithësi.Deklarata e ambasadës së SHBA-sëAmbasada amerikane në Tiranë reagoi dje duke theksuar se vendimi i Gjykatës do të minojë besimin në aftësinë dhe gadishmërinë e sistemit gjyqësor shqiptar për të dhënë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe transparente.“Jemi të tronditur nga vendimi i Gjykatës së Rrethit Tiranë për të shpallur të pafajshëm dy të pandehur që u gjykuan për akuza në lidhje me vdekjen e tre protestuesve më 21 janar 2011. Menjëherë pas 21 janarit 2011, Shtetet e Bashkuara, si një mike dhe mbështetëse e popullit shqiptar, iu përgjigjën një kërkese urgjente të Qeverisë së Shqipërisë dhe Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm për asistencë në hetimin e vrasjeve. Shtetet e Bashkuara dhanë ndihmë të shumëanshme, përfshirë ekspertizë nga Laboratori Kriminalistik i Byrosë Federale të Investigimit, një nga më të mirët në botë. Përgjatë gjykimit të çështjes, Shtetet e Bashkuara kanë bërë vazhdimisht dhe në mënyrë konsekuente thirrje për një hetim dhe proces gjyqësor tërësor, gjithëpërfshirës dhe objektiv. Fatkeqësisht, verdikti i sotëm ka minuar besimin në aftësinë dhe gatishmërinë e sistemit gjyqësor shqiptar për të dhënë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe transparente” thuhej  në deklaratën e ambasadës së SHBA-së.