Meta ‘josh” opozitën: Hajdeni në Kuvend, do të flisni sa Kryeministri
Tiranë- Të premten mazhoranca lëshoi një tjetër sinjal në drejtim të opozitës për rikthimin e saj në parlament, teksa miratoi propozimet e saj për ndryshime në Rregulloren e Kuvendit.Kreu i Parlamentit, Ilir Meta, deklaroi sot se përfaqësuesi më i lartë i opozitës në Kuvend do të ketë kohë të barabartë me Kryeministrin për të folur në seancë.Sipas Metës ky është një tjetër sinjal bashkëpunimi që mazhoranca i dërgon opozitës, porse vendimi final për tu rikthyer në Kuvend i takon vetë asaj.“Ndryshimi i fundit i Rregullores së Kuvendit, i iniciuar me propozimin e Kryetarit të Grupit të PS-së, z. Ruci, synon plotësimin e një kërkese prej disa kohësh të bërë nga opozita, në mënyrë që ata të kenë të drejtën e kohës për të folur pas Kryeministrit, po aq sa ai.Është një hap mjaft bashkëpunues nga ana mazhorancës. Ndoshta nuk mund të gjendet në asnjë Parlament tjetër të asnjë vendi demokratik, por përsëri më mirë të kemi më shumë demokraci sesa më shumë kufizime për arsye të veçorisë, rastit konkret, kur Kryetari i opozitës nuk ndodhet në Parlament për shkak të një funksioni tjetër që ai ka, atij të Kryetarit të Bashkisë.Sigurisht, kjo është një çështje që i takon vetë opozitës. Ne jemi të vendosur për të ecur në këtë drejtim dhe në seancën më të afërt ne do ta konkretizojmë. Pra, do ta votojmë. Pastaj i mbetet në dorë opozitës për ta shfrytëzuar këtë mundësi. është një e drejtë e tyre”.Një ditë më parë Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet në rregullore, duke pranuar kështu kërkesën e opozitës dhe duke i dhënë në këtë mënyrë, kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka të njëjtën kohë bisede me kryeministrin Edi Rama.Gjithashtu nga këto ndryshime dhe bazuar në kërkesën e e PD, deputetët e Kuvendit do të jenë anëtarë vetëm në një Komision të Përhershëm Parlamentar.