Xhuvani, Meta: Do zbatohen proçedurat, pavarësisht tragjedisë
Tiranë- Katër ditë pasi Luiza Xhuvani hoqi dorë nga mandati i deputetit, kreu i Kuvendit Ilir Meta, ka deklaruar se do të veprohet sipas rregullave dhe proçedurave të parashikuara në ligj për zëvendësimin e saj."Të jeni të sigurt që, lidhur me procedurat që ndiqen në këto raste do të veprohet sipas rregullave të caktuara dhe kjo nuk është më e rëndësishme. Pavarësisht nga tragjedia mjaft e rëndë që ndodhi, në fund të fundit dorëheqja është një akt që vlerësohet dhe sjell një standard të ri në sjelljen e figurave publike, në raport me opinionin publik. Ky është një mesazh për të gjithë deputetët, politikanët dhe zyrtarët"deklaroi Meta.Meta foli dhe për vizitën e kryeministrit Rama në Serbi, të cilën e cilësoi si vendosmëri nga ana e tij për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë."Pata kënaqësinë e veçantë të takojë në mënyrë të veçantë Nënkryetaren e Parlamentit të Serbisë, e cila ndodhet në selinë e Kuvendit të Shqipërisë, në mbledhjen e grupit të punës për Procesin e Europës Juglindore dhe kemi patur një bisedë mjaft konstruktive, mjaft mirëkuptuese.Aq sa të dy vazhdimisht shpreheshim se askush nga ne nuk mund të binte më shumë dakord për ato që po thuheshin. Pra, është një vizitë e cila zhvillohet në drejtimin e duhur, është një vizitë që tregon vendosmëri për të ecur më tej drejt rrugës së normalizimit dhe bashkëpunimit midis Serbisë dhe Shqipërisë.Sepse Shqipëria dhe Serbia kanë një përgjegjësi të veçantë për të ardhmen të të gjithë rajonit dhe këtë përgjegjësi do ta ushtrojnë dhe duhet ta ushtrojnë vetëm nëpërmjet bashkëpunimit, përmes tolerancës, përmes kreativitetit, përmes mospërsëritjes së frymës konfliktuale të së kaluarës. Sepse duhet të jemi të vendosur për të bërë një histori të re, jo një histori në shërbim të së kaluarës, por një histori për të ardhmen në shërbim të fëmijëve tanë dhe të gjeneratave të ardhshme".Komentet kreu i Kuvendit i bëri pas takimit të 8-të të grupit të punës të bashkëpunimit të Europës Juglindore. Gjatë takimit, Meta vuri theksin tek domosdoshmëria për të bashkëpunuar, për të pasur sa më shumë paqe e stabilitet në rajonin tonë.
“Është i rëndësishëm bashkëpunimi rajonal. Në këtë drejtim konfirmoj vullnetin e plotë për të dhënë mbështetje për avancimin e punës dhe zgjidhjen e çështjeve të mbetura. Mendoj që bashkëpunimi rajonal është një vlerë e shtuar në thellimin e fqinjësisë së mirë por edhe në kapërcimin e barrierave të së kaluarës”, tha kreu i Kuvendit.Sipas Metës, vendet e rajonit duhet të ndërtojnë një histori të re, për të ardhmen dhe jo për kufij.“Të forcojmë paqen dhe stabilitetin. Po jetojmë një kohë të re për të realizuar një histori të re jo histori për kufij, por për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë gjeneratat e reja”.