Basha pret nobelistin Yunus, fonde për hapjen e bizneseve e punësimin
Tiranë- Kryebashkiaku Lulzim Basha priti në një takim nobelistin Muhammad Yunus i cili është nismëtari i revolucionit financiar të mikrokreditimit.Basha ka vlerësuar punën e jashtëzakonshme të Yunus, për t’u dhënë mundësinë e hapjes së një biznesi, vetëpunësimit dhe punësimit mijëra njerëzve anembanë botës. Nxitja e hapjes së bizneseve të reja dhe punësimi është prioritet i Bashkisë së Tiranës,- theksoi Basha.Kryebashkiaku Basha e njohu nobelistin Yunus me iniciativat e ndërmarra nga ana e Bashkisë së Tiranës, për të mbështetur hapjen e bizneseve të reja dhe zgjeruar ato ekzistuese, kryesisht nga të rinjtë.Bashkia e Tiranës ka vendosur një fond prej 1 milion eurosh, i cili shërben si fond garancie për bizneset e reja që hapen apo drejtohen nga të rinj, një skemë që përdoret për herë të parë nga pushteti vendor në Shqipëri.Një tjetër iniciativë ku Bashkia e Tiranës ka investuar për herë të parë është “Crimson Capital”. Bashkia dhe donatorë të tjerë kanë vënë një fond prej 5.2 milionë dollarësh për kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Tiranë.Për shkak të situatës ekonomike që po kalon vendi dhe rritjes së vazhdueshme të taksave është bërë i vështirë, madje i pamundur suksesi i bizneseve të konsoliduara, pasi për hapjen e bizneseve të reja është thuajse e pamundur. Lufta për mbijetesë ka bërë që shumë biznese të mbyllin vende pune, ku më të prekurit janë të rinjtë.Në këtë kuadër, krijimi i mundësive për të hapur një biznes, i shanseve për punësim është një nga synimet më të mëdha të Bashkisë së Tiranës,- theksoi kryebashkiaku Basha, duke shprehur dëshirën për të bashkëpunuar me “Yunus Social Business Albania”, për të nxitur nëpërmjet instrumenteve të përbashkëta, punësimin e të rinjve të cilët duan të ndërmarrin iniciativa private biznesi por e kanë të pamundur të kenë akses në tregun financiar.Profesor Yunus ka mirëpritur ftesën e zotit Basha për bashkëpunim. Basha dhe Yunus ranë dakord për vënin në dispozicion të fondeve të përbashkëta, për hapjen e bizneseve të reja dhe rritjen e punësimit.