PD: MF e Majkos dëmshpërbleu përsekutorët e ish të përndjekurve
Partia Demokratike ka hedhur poshtë pretendimin e PS-së, se përsekutorët e regjimit të egër komunist u dëmshpërblyen nga Prokuroria e Përgjithshme gjatë kohës së qeverisjes socialiste. Përmes një deklarate për mediat deputeti demokrat Genti Strazimiri publikoi disa dokumenta me vendime gjykatash të asaj periudhe, të cilat cipas tij flasin qartë se dëmshpërblimi i tyre u bë nga Ministria e Financave e ish kryeministrit Majko dhe jo me urdhër të Prokurorisë së Përgjithshme sic deklaron PS.“Përsekutorët gjatë qeverisjes socialiste kanë marrë pafajësinë në një kohë rekord nga gjykatat dhe janë dëmshpërblyer për vitet e burgut. Janë disa vendime të gjykatës që dëmshpërblejnë përsekutorët. Këtu kemi paditje të Ministrisë së Financave, jo të Prokurorisë së Përgjithshme. Sic e shihni gjithcka kemi thënë është e vërtetë, e provojnë dokumentat e tyre. Kjo dëshmon se gjatë periudhës që Majko ka qenë kryeministër ka qenë Ministria e tij e Financave që ka dëmshpërblyer përsekutorët dhe jo Prokuroria” tha ai.Sipas Strazimirit deputetët e PS kanë një borxh personal të lënë nga baballarët e tyre përkundrejt shtresës së ish të burgosurve politikë, ndërsa sot po tentojnë të përbaltin kauzën e tyre.“Gjatë interpelancës së dy ministrave Halimi dhe Bode u dha informacion i detajuar dhe dolën pikat kryesore të kësaj maskarade që po dirigjohet nga Edi Rama në ato cadra. Deputetët e PS kanë një borxh personal të lënë nga baballarët e tyre në drejtim të shtresës së ish të përndjekurve. Fakti se po përpiqen të ndyejnë kauzën e tyre, duke vendosur cadra në rrugë tregon se kemi hyrë në fazën e dytë të makrabitetit, ku po tentojnë ta kthejnë në një kauzë pa parime, pa ndjenja, një kauzë paresh. Është një stategji që su ecën, po shkruajnë faqen e turpit të historisë së partisë së tyre dhe historisë së Shqipërisë” theksoi deputeti i PD-së Strazimiri.Në përfundim Strazimiri shprehu vendosmërinë e PD-së, si promotori i lirimit të tyre nga burgjet, për respektimin dhe ndalimin e përbaltjes së shtresës së ish të përndjekurve politikë.