Cani nuk përmend taksa të reja, premton rritje ekonomike 3% në 2015

Tiranë- Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, prezantoi para përfaqësuesve të Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Francë-Shqipëri buxhetin e vitit 2015 dhe paketën fiskale.Kryefinancieri shqiptar deklaroi se synim do të jetë ulja e borxhit publik, ndërkohë që rritja ekonomike parashikohet 3%.“Buxheti ka dy objektiva, mbështetja e zhvillimit dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike. Kjo shprehet me një rritje ekonomike 3% për 2015. Viti 2015 fillon me ulje e borxhit, ndërsa në 2017 shohim një ulje të ndjeshme të borxhit publik. Do ndërmarrim reforma të cilat qeveritë e tjera nuk i kanë prekur. Si Reforma e Pensionit, ajo e Energjisë.Do shlyejmë detyrimet e prapambetura dhe vlen për të përmendur që nuk do të ketë asnjë detyrim të pashlyer ndaj biznesit. Në 2015-tën edhe për reformën territoriale e cila ka problemet e veta me buxhetin.Totali i të ardhurave do të jetë 412 miliardë lekë , ndërkohë totali i shpenzimeve do jetë 472 miliardë Lekë, duke parashikuar kështu një deficit prej 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, rreth 60 miliardë lekë”- u shpreh Ministri i Financave, Shkëlqim Cani.Por edhe pse nën zë është folur për një sërë rritje të taksave, Ministri nuk permenndi asnje përveç disa lehtësirave fiskale si dhe një mënyrë të re për rimbursimin e TVSH.“Hiqet TVSH për sigurimet dhe zëvendësohet nga taksa prej 3 % për primin bruto. Me këtë lëvizje, shkohet drejt standardeve europiane. Së dyti rritet renta minerare për pushtetin vendor, e përkthyer në gjuhë shifrash 4-fishi i asaj që ka përfituar deri tani pushteti vendor.Gjithashtu, ulet taksa për rafineritë vendase dhe reduktohet renta minerare me qëllim nxitjen e sektorit minerar. Po ashtu, ulet taksa doganore për gomat e automjeteve nga 15-10 % dhe përjashtohet nga taksa për të ardhurat personale kontributi për pensionet vullnetare.Merret parasysh edhe kërkesa e biznesit për të njohur firot dhe amortizimet.Vendoset kontrolli mbi bazë risku për rimbursimin e TVSH-së. Për agropërpunimin dhe biznesin në bujqësi rimbursimi i TVSH-së shkon në masën 20 % nga 6 % që është. Bëhet zero tarifa doganore për lëndët e para dhe mallrat masivë në bujqësi si gruri, mielli etj.Së fundmi, sektori i peshkimit përjashtohet nga taksa e qarkullimit dhe karburantit”.Sipas Canit buxheti dhe paketa ende nuk kane marrë formën përfundimtare dhe publikimi i plotë do të jetë pas disa ditëve.