Hetimet për korrupsion, pezullohet prokurorja e EULEX

Shefi i misionit të EULEX-it, Gabriele Meuçi, ka pranuar se misioni që ai drejton është duke e zhvilluar një hetim të madh të brendshëm që nga viti 2013, por përderisa rasti është nën hetim, nuk ka pranuar të bëjë komente të mëtejshme.Megjithatë, i pyetur nga gazetarët, Meuçi ka deklaruar se prokurorja Maria Bamieh është pezulluar, por nuk po ndiqet penalisht.Meuçi konfirmoi gjithashtu se asnjë gazetar nuk po ndiqet penalisht për faktin se ka shkruar për korrupsionin në EULEX, përfshi këtu edhe akuzën se prokurorja kishte kërkuar 300 mijë euro për një rast. Ai është i bindur se misioni europian në Kosovë, po punon sipas ligjit dhe po e lufton korrupsionin. "Jo nuk është e vërtetë", i është ëprgjigjur Meuçi pyetjes nëse Bamieh po hetohej.Megjithatë, ai nuk ka dashur të komentojë hetimet e mundshme të prokurorëve të EULEX-it të cilët dyshohen se janë të përfshirë në korrupsion. "Garantojmë çdo qytetar se po punojmë sipas ligjit. Ne jemi të interesuar dhe po punojmë për ta luftuar korrupsionin", u shpreh Meuçi.Italiani nuk ka nguruar të lavdërojë punën e misionit të Bashkimit Europian për punën që po kryen në Kosovë, duke thënë se po kryhen minimum dy hetime në javë. "Kemi punuar shumë kur mendon se janë më shumë se 500 raste të marra nën hetim nga EULEX", shtoi Meuçi.Sa i përket largimit të punëtorëve vendas nga Misioni i BE-së, ai është mbrojtur duke thënë se shkurtimet kanë prekur edhe ndërkombëtarët. "Nuk janë larguar nga Misioni vetëm vendasit, por ka edhe prokurorë dhe policë të huaj".