Tirana me filarmoni, shfaqja e parë sonte, Basha pret artistët
Filarmonia e Tiranës, një premtim i kryebashkiakut Basha është sot realitet. Në mbrëmje, kjo filarmoni do të performojë për herë të parë, ku e ftuar nderi është mezzo-sopranoja me një karrierë botërore, Enkeleida Shkoza.Filarmonia do të dirigjohet nga një prej dirigjentëve më të njohur francezë, Jean-Michel Ferran. Në këtë koncert që do të mbahet në sallën e Universitetit të Arteve do të interpretohen vepra nga Mozart, Verdi dhe Bizet.Mezzo -sopranoja Enkeleida Shkoza dhe dirigjenti, njëherësh drejtor artistik i Filarmonisë së Tiranës Jean Michel Ferran janë pritur në një takim nga kryebashkiaku Lulzim Basha.Basha ka falënderuar zonjën Shkoza për inkurajimin që u jep me praninë e saj këtyre artistëve të rinj:“Prania juaj sot në këtë koncert të parë të Filarmonisë së Tiranës, jam i sigurt që do të jetë një ogur i mirë për vazhdimësinë dhe suksesin e saj. Asgjë nuk është mjaft për të mbështetur dhe inkurajuar talentet e shumta që ka sot Shqipëria dhe që ashtu si ju, po shkëlqejnë në skenat me prestigjioze botërore. Unë kam qenë dhe jam i vendosur të bëj gjithçka që kemi mundësi, për të inkurajuar dhe dhënë mundësi të rinjve të shprehin talentin e tyre”.Mezzo sopranoja Enkeleida Shkoza ka shprehur kënaqësinë që do të jetë ajo, këngëtarja e parë që do të performojë me Filarmoninë e Tiranës:“Ky është një mesazh i madh për të rinjtë e talentuar shqiptarë, të cilët nuk kanë mundësi për të vënë në skenë talentin e tyre. Në këtë kohë kur kriza ka prekur artin, të ndërmarrësh një iniciativë të tillë si Filarmonia e Tiranës është diçka e veçantë dhe duhet përgëzuar” - theksoi znj. Shkoza.Dirigjenti Jean Michel Ferran i cili është drejtor i konservatorit në Paris, kompozitor dhe pianist ka vlerësuar talentet e Filarmonisë së Tiranës. Z. Ferran i ka bërë të ditur Bashës se Filarmonia e Tiranës është përzgjedhur për të performuar në Operën e Bordosë dhe në prill, në Milano.Kryebashkiaku Basha ka shprehur gatishmërinë për një bashkëpunim afatgjatë, duke e konsideruar ndihmën e artistëve shqiptarë me famë botërore, një shtysë të madhe për vazhdimësinë dhe suksesin e Filarmonisë.Mezzo-sopranoja Enkeleida Shkoza dhe drejtori i konservatorit në Paris, Jean Michel Ferran kanë shprehur angazhimin e tyre, për të kontribuar në suksesin dhe vazhdimësinë e Filarmonisë së Tiranës.Dirigjentë dhe solistë nga vende si Franca, Anglia, Italia, Gjermania, Austria etj do të jenë pjesë e koncerteve të Filarmonisë së Tiranës në muajt në vijim, sikundër artistë shqiptarë me famë botërore kanë shprehur gatishmërinë për të performuar me këtë Filarmoni.