Buxheti 2015, Rrumbullaku: Rritje ambicioze, stimulim dhe për Drejtoritë
Tiranë - Qeveria përfundoi sot projekt buxhetin e vitit 2015, buxhet i cili është më i madh se sa vitin e kaluar dhe kap shifrën 470 miliard lekëve. Për pedagogun Olti Rrumbullaku, në syrin e tij si ekspert ekonomie, ky projekt buxhet është shumë ambicioz.I ftuar në RTV “Ora News”, përballë gazetarit Edvin Peçi, eksperti i ekonomisë tha se shifrat ambicioze, do stimulojnë edhe Drejtoritë përkatëse të japin maksimumin, në mënyrë që të gjenerohen të ardhurat, për të plotësuar shpenzimet e qeverisë.“Ndoqa sot shifrat, të paktën dy shifrat kryesore të projekt buxhetit. Janë për mendimin tim më në fund ambicioze, sidomos shifra e të ardhurave publike, të ardhurave që janë tatimore dhe jo vetëm tatimore. Të ardhurat e parashikuara deri tani nga Ministria janë 410 miliardë lekë, ose 4.1 miliard dollarë. Rreth 400 milion dollarë më shumë se sa viti që sapo mbyllet. Kjo është një ndryshim shumë i madh, në qoftë se këtë vit ishin 300 e ca million më shumë, nënkuptohet se ishte një vit pas një viti shumë të dobët dhe 300 milion të arritshëm.Ndërsa kjo rritje me këto shifra për këtë vit është vertetë ambicioze. Unë mund të them që nuk mund të flasim më për plan, - nëse përdorim termin e vjetër që prej diktaturës, - por ky është vërtetë një objektiv ambicioz i cili do të kërkojë që edhe Ministria e Financave dhe Drejtoritë përkatëse, kryesisht Tatimet, të operojnë në maksimumin e mundshëm të kapacitetit, që gjenerojnë këto të ardhura, që i duhen pastaj qeverisë për të plotësuar shpenzimet, për paga, për pensione” – tha Rrumbullaku.Në një ndër pikat kryesore që qeveria do të ketë në qëndër të vemendjes vitin e ardhëm është ulja e borxhit publik, eksperti i ekonomisë shpjegon se ku mund të bazohet qeveria për të arritur një rezultat pozitiv.“Këtë vit parashikohet rreth 90 miliardë lekë defiçit, ndërsa vitin tjetër është rreth 60 miliardë lekë. Duhet të kemi parasysh se në një ekonomi si e jona ka gjithmonë defiçit, problemi është që defiçit të jetë shumë i kursyer, të jetë i kufizuar dhe në momentin që është i kufizuar dhe ka disi dhe rritje ekonomike, ai defiçit nuk e shton borxhin.Pra, në qoftë se ne kemi një rritje ekonomike 3% dhe një defiçit 3%, borxhi qëndron në vend, sepse rriten të dyja njëkohësisht. Kam përshtypjen se qeveria e ka parashikuar 3.7 ose 4% defiçitin, shumë më ndryshe se sa defiçit i këtij viti që është diçka rreth 6% apo 6.5%” – tha Rrumbullaku.