Jeruzalem, mbyllet xhamia Al-Aksa
Po përshkallëzon gjendja në Jeruzalem, pasi policia ka vendosur të mbyllë xhaminë Al-Aksa (ne foto) dhe Malin e Tempullit, duke mos lejuar asnjë vizitor, mysliman apo hebre. Të mërkurën një aktivist ekstremist izraelit u plagos nga një palestinez, të cilin policia vendase e qëlloi për vdekje pasi nuk pranonte të dorëzohej. Një faqe internet e Hamasit e identifikoi palestinezin e vrarë si Moataz Hexhazi, 32 vjeç, i cili kishte kaluar 11 vjet në një burg izraelit dhe ishte liruar në vitin 2012. Hexhazi kishte qëlluar një ditë më parë Jehuda Glik teksa ai po largohej nga një konferencë ku kishte promovuar të drejtën e izraelitëve për t'u lutur në Qytetin e Vjetër. I njohur për hebrenjtë si Mali i Tempullit, dhe si Faltorja e Shenjtë nga muslimanët, ai konsiderohet si vendi më i shenjtë për hebrenjtë, ndërsa për myslimanët, vendi i tretë më i shenjtë, pasi përmban edhe Kupolën e Shkëmbit, nga ku besohet se profeti Muhamed është ngjitur në Parajsë.Tensionet janë rritur së tepërmi dhe nuk mungojnë përleshjet mes policisë dhe palestinezëve, të cilët godasin me gurë dhe bomba artizanale. Palestinezët janë më të inatosur me zhvendosjet e popullsisë hebreje në lagjet arabe të qytetit, si dhe rritjen në kohët e fundit të numrit të vizitorëve hebrenj ultraortodoksë, mes tyre edhe politikanë.