Durrës, Rama: Fund epokës së vjedhjes, të ardhurat do investohen
Durrës-Kryeministri Rama e ka komentuar nga Durrësi operacionin kundër vjedhësve së energjisë. Në ditën e dytë të aksionit mbarështetëror, kryeministri u shpreh optimist duke paralajmëruar se do t'i jepet fund epokës së hajdutërisë.Sipas Ramës, paratë që do rikuperohen nga ky aksion do të rihidhen për investime, por pa specifikuar nëse energjia do të jetë sektor përfitues."Të bëjmë çfarë mundemi për të nxitur këdo që kemi rrotull nesh për t'i dhënë fund epokës së vjedhjes së vetëvetes përmes vjedhjes së energjisë elektrike. Sa më shumë të nxitojmë në këtë drejtim aq më shumë do t'i japim vetes mundësi për të bërë investime që janë bërë të pamundura për vite me radhe sepse paratë janë tretur në gropën e zezë të hajdutërisë së energjisë elektrike", tha Rama.Vlerësime nga Rama ka marrë dhe projekti i shumëdebatuar nga shoqëria civile për sheshin "Iliria", i cili cënon shatërvanin historik të Durrësit. Për kryeministrin, sheshi do të kthehet në një atraksion turistik për revistat evropiane të artit."Kemi marrë pëlqimin e një durrsaku ndër më të talentuarit të gjeneratës së re, Ilir Xhixhës, duke bërë që sheshi Iliria të kthehet në një atraksion artisikt, dhe pikë referimi edhe për revistat apo publikimet e botës së artit në Europë", u shpreh kryeministri.Një tjetër detaj për planin e qyteteve, për kryeministrin ishte korsia 7 kilometrash e biçikletave, që të çon nga qyteti në plazh, ndërkohë që mes premtimeve ishte dhe urbanizimi I zonës aq problematik të ish kënetës.