Menaxhimi i mbetjeve, Basha: Jo politikë me plehrat, por vullnet

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, teksa ka prezantuar para shoqatave mjedisore projektin për menaxhimin e mbetjeve, i ka bërë thirrje qeverise të zhbllokojë këtë projekt që sipas tij synon ndryshimin rrënjësor për 25 vitet e ardhshme në mënyrën e mbledhjes dhe trajtimit të mbetjeve në kryeqytet.“Sot, duke folur për zgjidhjet tona, për politikën tonë afatgjatë të trajtimit të mbetjeve, shpresoj të mund të ngremë ndërgjegjësimin qytetar, zërin qytetar, që ajo që duhet të jetë politikë për mbetjet, politikë për plehrat, të mos kthehet në politikë me plehrat e të na pengojë në realizimin e synimeve tona” tha Basha.Sipas Bashës, për këtë projekt nuk kërkohet asnjë lek nga qeveria, por vetëm firma që autorizon bashkinë e Tiranës të hapë proçedurat e konçesionit.“Kemi mbetur tek vullneti politik. Që Tirana të ketë kontenierë nëntokësorë brenda tre vitesh në të gjithë qytetin, vitin e parë brenda Unazës së Vogël, pa paguar asnjë lek më shumë, as qytetari, as Bashkia, as qeveria. Kërkohet vullneti politik që kjo skemë konçesionare e hartuar me ekspertizën më të mirë botërore të vihet në funksionim. Kërkohet as më pak e as më shumë por bashkëfirmosja sipas ligjit, për të hapur proçedurën konçesionare”- theksoi kryebashkiaku Basha.Bashkia e Tiranës në bashkepunim me Bankën Botërore, kanë përgatitur projektin per menaxhimin e mbetjeve urbane, e cila synohet të jepet si konçension per një periudhë 25 vjeçare.Si kriter bazë projekti sanksionon që brenda një viti, të gjithë kontenierët e plehrave brenda Unazës së Vogël të Tiranës të jenë nëntokësor dhe të diferencuar, ndërkohë që ky shërbim do të do të shtrihej në të gjithë qytetin e Tiranës brenda tre vitesh nga nisja e kontratës së sipërmarrjes.Projekti synon dhe krijimin e vendgrumbullimeve të reja, por dhe futjen e teknologjisë përpunuese dhe ricikluese.Gjithashtu projekti ka si kriter, që asnjë qindarkë më shumë të mos paguhet nga qytetarët e Tiranës për këtë shërbim si tarifë, sesa ç'paguhet apo ç'duhet të paguhet sot.