Jahjaga: Takimi me Nikoliçin, për normalizimin e plotë të marrëdhënieve
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka thënë se takimi me presidentin serb, Tomisllav Nikoliç është takim simbolik, por i rëndësishëm, sepse për të parën herë takohen dy presidentët.Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, Jahjaga theksoi se takimi konsiderohet sukses për normalizimin dhe avancimin e marrëdhënieve, si dy shtete sovrane dhe të pavarura.“Ne do t’i japim mbështetje procesit të deritashëm të dialogut, që po udhëhiqet nga kryeministrat e të dyja vendeve tona, i cili po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe po përkrahet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Jahjaga.Ajo tha se do të bisedohet parimisht, për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.“Për nevojën e vazhdimit të dialogut, për arritjen e marrëveshjes për të gjitha çështjet dhe për zbatimin e përpiktë të këtyre marrëveshjeve, të cilat edhe janë në dobi të të gjithë qytetarëve të të dyja shteteve dhe që janë në funksion të fqinjësisë së mirë, të paqes dhe stabilitetit në rajon”, ka thënë presdientja.Në pyetjen nëse do të ketë një marrëveshje përfundimtare mes palëve, dhe sa mund t’i japë fund problemeve mes dy vendeve, Jahjaga tha “Marrëveshja gjithëpërfshirëse mund t’i hap rrugë nënshkrimit marrëveshjeve tjera bilaterale. Kjo është një normë e rregullt sjelljeje ndërshtetërore, për të gjitha shtetet që kanë vendosur marrëdhënie diplomatike. Çështja e nënshkrimit dhe e ratifikimit është e rregulluar me Kushtetutë”.Presidentja gjendet në Bruksel për të zhvilluar takim nesër me homologun e saj serb, Tomislav Nikolic.Takimin e saj me Nikoliçin e kanë kundërshtuar organizata “Thirrjet e Nënave” që i është drejtuar me një letër të hapur presidentes, Atifete Jahjaga, duke kërkuar nga ajo që të mos takohet me presidentin serb, Tomislav Nikoliç.