Dialogu Thaçi-Daçiç po afron veriun me Serbinë dhe Serbinë me BE-në
Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar një takim në Pejë, në kundërshtim të negociatave me Serbinë që po bëhen pa kushte dhe për çështje të brendshme të Kosovës.Në këtë takim kanë folur Kryetari i Qendrës së Vetëvendosjes në Pejë, Avdi Shkreli, kryetari i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, si dhe Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.Takimin e hapi Kryetari i Qendrës së Vetëvendosjes në Pejë, Avdi Shkreli, i cili falenderoi pjesëmarrësit dhe foli për dëmet që po pëson Kosova në këto negociata. Ai ndër të tjera tha se negociatat pa kushte me Serbinë, po e dëmtojnë shtetësinë e Kosovës dhe se rezultatet nga këto negociata na lanë pa Republikë.Më pas, kryetari i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka shprehur kundërshtimin e Vetëvendosjes për takimet mes Thaçit dhe Daçiçit, si dhe për takimin e paralajmëruar mes Jahjagës dhe Nikoliçit.“Përveç takimeve Thaçi-Daçiç, tashmë është caktuar edhe një datë tjetër si pjesë e dialogut, kur do të takohet Jahjaga me Nikoliçin, pasardhësin dhe dorën e djathtë të Sheshelit. Ky takim do të ndodhë me 6 Shkurt. Atifete Jahjaga është presidente që ka dalë nga zarfi dhe është vulosur në Kuvend. Vetëvendosja ka qenë i vetmi subjekt që, përveç që nuk e ka votuar edhe e ka braktisur sallën e Kuvendit në atë kohë kur është zgjedhur Jahjaga presidente. Edhe ata deputetë që e kanë votuar, nuk mendoj se e votuan të jetë një presidente që takon pasardhësin dhe bashkëpunëtorin e Sheshelit, dhe përmes këtij takimi paraqet Nikoliçin si person të mirë. Thaçi e Jahjaga i kanë marrë të gjitha masat që Daçiçin e Nikoliçin t’i nxjerrin të pastër para BE-së”, u shpreh Ymeri. Ai theksoi se me marrëveshjen e fundit për fondin zhvillimor të veriut, po bëhet hapi i parë drejtë autonomisë së veriut. “Autonomia fiskale, është hap i parë i autonomisë. Ai fond është edhe diskriminues edhe ndarës për Kosovën”.Duke folur për negociatat e mëparshme, Ymeri tha se marrëveshjet e njëpasnjëshme e kanë ndryshuar dhe e kanë dëmtuar Kosovën. “Duke e ditur që Serbia nuk e njeh dhe e ka pjesë në Kushtetutën e vet Kosovën, kjo nënkupton se ajo nuk do të ndryshojë por Kosova do të ndryshojë. Ky ndryshim po vjen si pjesëza në marrëveshjeve të caktuar, duke hequr dorë nga elementet e pavarësisë. Pra, dialogu po e ndryshon Kosovën e jo Serbinë. Për shembull, marrëveshja që ua zgjati jetën edhe 5 vite tabelave KS të UNMIK-ut. Në ato tabela nuk ka elemente të Republikës. Pra, kontestohet dhe Republika. Më pas, marrëveshja e regjistrit civil dhe ajo e regjistrit kadastral, hera e parë që Kosova ia pranon të drejtën Serbisë që t’i mbajë këto regjistra mjaft të rëndësishëm, që i ka vjedhur nga Kosova. Me atë marrëveshje, origjinali i tyre mbetet në Serbi, kurse kopjet vijnë në Kosovë”. Ai shtoi se kupola e këtyre marrëveshjeve në dëm të shtetit të Kosovës është marrëveshja e fusnotës që e zhvesh Kosovën nga Republika dhe i referohet Rezolutës 1244, rezolutë e cila e njeh sovranitetin serb brenda Kosovës.Kurse dhe Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kritikoi Qeverinë e Kosovës që po i mundëson Serbisë integrimin në BE, pa i nxjerrë asnjë kusht. “Këto bisedime janë nisur si nevojë e Serbisë drejt integrimeve në Bashkimin Evropian. Përmes dialogut “teknik”, Serbia e fitoi statusin e vendit kandidat, kurse përmes dialogut politik me Thaçin, Serbia ka për synim datën e nisjes së negociatave për integrim në BE. Kosova përmes këtij dialogu po bëhet gjithnjë e më pak funksionale, gjithnjë e më pak shtet normal, kurse veriu po i afrohet Serbisë gjithnjë e më shumë, e kjo e fundit gjithnjë e më shumë po i afrohet Brukselit. Pse BE-së po i duhet ky dialog? Sepse, së pari BE dëshiron që të dëshmohet si superfuqi. Kurse së dyti, dëshiron që t’ia marr Rusisë Serbinë. E dimë që kurrë nuk do të krijohej Serbia në Ballkan, pa Rusinë cariste. Tashmë, BE, duke qenë se e do Serbinë brenda vetes, përpiqet të dëshmojë se Serbia është e pranueshme për BE-në dhe i ka punët mirë me fqinjët. Ne jemi dakord me këtë synim të BE-së dhe ShBA-ve, mirëpo nuk guxojmë të lejojmë që dobësimi i Rusisë në Ballkan, të përcillet me forcimin e Serbisë në Ballkan. Nuk duhet që çmimin për shkëputjen e Serbisë nga Rusia, ta paguajnë shqiptarët”, theksoi Kurti, duke shtuar se këto gjëra politikanët e Kosovës nuk mund t’ua thonë ndërkombëtarëve, pasi janë të shantazhuar, e kanë bishtin të zënë me derë, sepse kanë vjedhur popullin e tyre.Ai ndër të tjera numëroi edhe kushtet që duhet t’i nxjerrë Kosova karshi Serbisë, para çdo komunikimi apo takimi me ta: “Kushti juridik legal – ndryshimi i kushtetutës dhe pranimi pavarësisë së Kosovës; Kushti humanitar dhe moral – kthimi i të pagjeturve dhe kërkim-falja për krimet e kryera; Kushti i drejtësisë- dorëzimi i mijëra kriminelëve që kanë kryer krime në Kosovë; Kushti politik – duhet të pushojë me shtypjen dhe diskriminimin e shqiptarëve të Luginës dhe duhet të pushojë se financuari strukturat në veri; Kushti i zhdëmtimit - për shtëpitë e rrënuara, bagëtitë e vjedhura, depozitat bankare po ashtu të vjedhura, kontributet pensionale, librat e amzës, kadastrat dhe artefaktet kulturore.Gjithashtu në takim kanë folur dhe qytetarë të pranishëm, të cilët përmes pyetjeve dhe komenteve që bënë, shprehën pakënaqësinë dhe kundërshtimin e tyre për këto negociata që po e shkatërrojnë Kosovën edhe politikisht, edhe ekonomikisht.