Takimi Jahjaga-Nikoliç pa rëndësi për Kosovën
Vetëm dy ditë para se të ndodhë takimi i shumëpërfolur Jahjaga-Nikoliç, spektri politik opozitar në Kosovë dhe analistë politikë e konsiderojnë si të pa nevojshëm këtë takim, madje sipas tyre, Kosovës pak ose fare mund t’i shërbejë ky takim.Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës e konsideron si temë joserioze. “Nuk kam koment. Po më duket joserioze kjo temë”, ka thënë ai.Ndërkaq Rexhep Selimi nga Vetëvendosje, ka thënë se presidentja nuk do të duhet të takohej me Nikoliçin, e as të negocionte me askënd nga Serbia. “Përveç presidentes edhe kryeministri nuk do të duhej të takohej për negociata me askënd nga Serbia, sepse as kryeministri nuk përfaqëson interesin e qytetarëve, por edhe presidentja nuk përfaqëson interesin e qytetarëve përmes një marrëveshje edhe ashtu pa vlerë”, ka thënë Selimi.Nga ana tjetër analisti Halil Matoshi ka thënë se takimi në Bruksel mes presidentit të Serbisë, Nikoliç dhe Presidentes së Kosovës, Jahjaga është axhendë e Brukselit, dhe politikisht është një aksion simbolik për nevoja të brendshme të vetë BE-së, për ta paraqitur përfshirjen e saj në Kosovë, si “histori të suksesshme”.“Kosovës pak ose fare nuk i shërben ky takim, për arsye se Kosova e ka zgjidhjen e vet-shtetin sovran. Nga ana tjetër Serbia është shtet presidencial, kurse Kosova ka një kryetare të zgjedhur në Kuvend me një marrëveshje politike, por kjo nuk ia ul vlerën Jahjagës karshi homologut serb theksoi Matoshi.Në anën tjetër analisti Fadil Lepaja poashtu konsideron që presidentja e Kosovës nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve të vendit. “Zonja Jahjaga thjesht përfaqëson vullnetin e bashkësisë ndërkombëtare në vend”, ka thënë Lepaja.