Protesta në Bujanoc: Të largohet përmendorja e xhandarmerisë serbe

Përfaqësues të partive shqiptare në Luginë të Preshevës gjatë protestës së të premtes, ku morën pjesë mijëra protestues shqiptarë, kanë kërkuar heqjen e përmendores së xhandarmërisë serbe, e cila ndodhet ndërmjet fshatit Lluçan dhe Dobrosin, të banuara me shqiptarë.Gjatë protestës e cila ka përfunduar pa incidente, është lexuar Deklarata e cila është miratuar nga këshilltarët shqiptarë të Komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, më 12 janar me anë të së cilës kërkohet reciprocitet në aspektin e të drejtave të shqiptarëve, ashtu si i kanë serbët në Kosovë.“Kërkojmë nga Serbia respektimin e Marrëveshjes së Konçulit. Respektimin e konventave ndërkombëtare. Kërkojmë realizimin e Planit të vitit 2001, integrimin në jetën publike dhe zhvillimin e premtuar ekonomik. Edhe njëherë kërkojmë Heqjen e Memorialit të Xhandarmërisë serbe në Lluçan”, theksohet në kërkesën publike.Sipas deklaratës, Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptar në deklaratën e 12 janarit të këtij viti ka rikonfirmuar parimet e platformës të vitit 2006 dhe ka konsideruar si provokim të rëndë ngritjen e memorialit të xhandarmërisë serbe në Lluçan për pjesëtarët e dyshuar për krime lufte ndaj popullatës shqiptare dhe ka kërkuar largimin e tij.